“Njeriu Similaun” para 5.300 vjetësh në bjeshkë

Alpinizem

“Njeriu Similaun” para 5.300 vjetësh në bjeshkë

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 23 shtator 2020 Në ora: 22:49
“Njeriu Similaun” para 5.300 vjetësh në bjeshkë

Më 19 shtator të vitit 1991, një çift bjeshkatarësh gjermanë gjetën një kufomë në lartësinë mbidetare 3.208 metra, në qafëmalin Tisenjoh të Alpeve Ëctal (gjer. Ötztaler Alpen), në zonën kufitare Itali - Austri. Rëndësia e gjetjes në fillim ishte nënvlerësuar, mendohej se kufoma (ngjyrë kafe) ishte e ndonjë alpinisti apo skialpinisti të aksidentuar. 

Më vonë kjo gjetje u tregua si zbulim epokal. Është fjala për mumien 5.300 vjeçare, tanimë e njohur me emrin “Njeriu Similaun” apo “Ëci” (ang. Similaun Man apo gjer. Ötzi). Dy emrat e tij rrjedhin nga vendi ku është gjetur kufoma, në Akullnajën Similaun të vargmaleve Ëctal. Pjesë e këtij zbulimi është edhe veshmbathja e konservuar e Ëcit, nga e cila mësojmë për “modën” e asaj kohe. 
Kufoma e mumifikuar në mënyrë natyrore në akullnajën Similaun (e tharë nën pikën e ngrirjes së ujit), i takon periudhës kalimtare nga epoka e neolitit në atë të bakrit të hershëm (eneolitit)*. 
Ky zbulim spektakular i ka frymëzuar shkencëtarët në të gjithë botën, madje u bë shkas që epoka e bakrit të datohej për 1.000 vjet më herët. 
(* Në fakt, pasuese e periudhës së re të gurit, respektivisht neolitit, në gjuhën e arkeologjisë njihet si periudha eneolitike (greq. eneus- bakër dhe lithos- gur), andaj binomi periudha e bakrit apo eneolitit janë e njëjta gjë. Para kësaj periudhe kanë ndodhur zhvillime madhore që ndikuan në mënyrën e jetesës si: zhvillimi i punimeve bujqësore, zbutja apo familjarizimi (domestikimi) i kafshëve që tani njihen si kafshë shtëpiake e të tjerë. Në kronologjinë historike të territorit të Kosovës, kjo periudhë kohore përfshin kohën nga vitet 3.500 deri 2.500 p.e.s. - marrë nga “Guida Arkeologjike e Kosovës”).

Image

Fotografia: epigrafi në monumentin e Ëcit në qafëmalin Tisenjoh 3.208 m/lmd, fotografuar nga autori i artikullit.

 
ADN-ja zbulon pamjen e Ëcit

Nga një kockë e Ëcit shkencëtarët kanë nxjerrë mjaftueshëm ADN për ta deshifruar të gjithë materialin gjenetik të tij. Rezultati i gjetjes është: ai kishte sy dhe flokë ngjyre kafe. Sipas analizës gjenetike, studiuesit gjithashtu supozojnë se paraardhësit e tij ishin të ardhur nga Lindja e Mesme.

Image

Fotografia: rikonstruksion i "Njeriu Similaun", Muzeu Arkeologjik i Tirolit Jugor, Wikimedia, licensa: CC BY 3.0.

 
Një fotografi e zverdhur në albumin familjar

Një analizë e ADN-së e më shumë se 3.000 burrave tirolas, zbuloi se pasardhësit meshkuj të Ëcit ende jetojnë në Austri. Nëntëmbëdhjetë tirolas mbajnë informacionin gjenetik në kromozomin e tyre Y që kujton paraardhësin e tyre nga epoka e akullnajave. Paraardhësi i fundit i përbashkët i Ëcit dhe i 19 tirolasve që tani janë gjallë, ka jetuar para 10.000 vjetësh. Me fjalë tjera ata kishin një stër-, stër ... stërgjysh të përbashkët. 
Ndërkaq, sipas një analize tjetër të ADN-së mitokondriale, e cila ndryshon shumë ngadalë dhe trashëgohet vetëm nga nënat, që është krahasuar me materialin gjenetik të më shumë se 1.000 njerëzve, pasardhësit e Ëcit nga linja e së ëmës nuk jetojnë më. 

I pajisur për male të larta
Gjësendet personale të Ëcit gjithashtu janë hulumtuar me kujdes. Njeriu Similaun mbante me vete gjithçka që ishte e nevojshme për të mbijetuar në male: një kapuç nga lëkura e ariut të murrëm, një pallto të qepur nga lëkurat e dhive dhe dhenve, një mantel të thurrur nga barërat, pantallona, rrip dhe çantë të brezit nga lëkura e viçit, një thikë xhepi, një gur shkrepës (strall), një fëndyell për shpimin e vrimave, një turielë, një enë nga lëvorja e mështeknës, spango të përdredhura nga barërat, një çantë shpine të thurur nga shkopinj lajthie dhe një palë mbathje nga lëkura e lopës, të cilat i kishte mbushur me barëra për t'u mbrojtur nga të ftohtët. 

Image

Fotografia: rikonstruksion i mbathjes së "Njeriu Similaun", Muzeu Arkeologjik i Tirolit Jugor, Wikimedia.

Gjësendet e Ëcit me vlera të larta arkeologjike: një hark, një çantë nga lëkura e drerit e mbushur me shigjeta dhe një sëpatë me teh bakri. 
I pajisur kështu, ai ishte në gjendje të mprehte tehun e sëpatës, të gdhendte shigjeta, të arnonte rrobat e tij, të ndezte zjarre, të transportonte prushin nga zjarri i mëngjesit me enën e lëvores së mështeknës, të mbështjellur hermetikisht me gjethe të panjës dhe të gjuante. 

Image

Fotografia: kopje e sëpatës së bakrit të "Njeriut Similaun". Wikimedia, licensa CC BY 3.0..

 
Njeriu i gurit, i fortë si guri

Që nga ajo kohë, shumë shkencëtarë e studiues nga mbarë bota e kanë ekzaminuar mumien dhe kanë zbuluar shumë detaje mbi personalitetin e “Njeriut Similaun”: ai ishte me trup muskulor, kur vdiq ishte rreth 46 vjeçar, i gjatë 1,60 metra, peshonte 50 kilogramë, numrin e këmbës e kishte 38 dhe në jetë kishte vuajtur nga shumë sëmundje kronike. 
Regjistri i tij mjekësor është goxha i gjatë, ai kishte: mushkëritë e zeza (mbase nga tymi i zjarrit të hapur), probleme dentare, artrit kronik, ulçerë në stomak, ngushtim të aortës që kalon në bark dhe arterieve që furnizojnë trurin. Vuante nga intoleranca ndaj laktozës dhe diarrea, kishte brinjë të thyer dhe varrë tjera në trup. Ndërkaq gjendja e dobët e thonjve të tij sugjeron stresin e epokës prehistorike. Gjithashtu kishte shenja të konsumimit në shtyllën kurrizore dhe gjunj, ndërsa një gisht të këmbës e kishte të mërdhirë, ashtu siç e dimë nga alpinistët e lartësive.
Mirëpo shkaku i vdekjes së tij nuk ishte asnjëra nga vuajtjet dhe sëmundjet e cekura por krejt diçka tjetër. 

Personazhi ynë prehistorik është vrarë!
Rastin e Ëcit e ka hetuar komisari i kriminalistikës nga Mynihu Aleksandër Horn për dy vjet me radhë. Ai e përjashton grabitjen si motiv. Të paktën Ëci e kishte akoma sëpatën e tij të bakrit, e cila ishte e rrallë dhe për këtë arsye e vlefshme në atë kohë. “Padyshim, ai nuk vdiq për shkaqe natyrore” - konstaton komisari Horn. 
Ëci kishte brinjë të thyer dhe një shigjetë të ngulur në shpatullën e tij të majtë, e cila e kishte goditur atë nga prapa. Ai mund të kishte vdekur për shkak se mund të kishte humbur shumë gjak nga kjo plagë. 
Një shkak tjetër i mundshëm mund të kishte qenë edhe ndonjë dëmtim i rëndë traumatik i trurit: shkencëtarët gjetën dy zona me ngjyrë të errët në pjesën e pasme të trurit të madh të Ëcit. Ai mund të kishte marrë ndonjë godtje në pjesën e pasme të kokës. Është e paqartë nëse dëmtimet janë shkaktuar nga rinia apo nga ndonjë goditje në kokë. 
Ajo që është e sigurt, Ëci nuk ka vdekur për shkaqe natyrore, por nga pasojat e plagosjes me shigjetë nga prapa ose si pasojë e dëmtimit traumatik të trurit.

Image

Fotografia: monumenti i Ëcit në qafëmalin Tisenjoh 3.208 m/lmd. 

Më 23 shtator 2020, i frymëzuar nga vizita e vendgjetjes së Ëcit në qafëmalin Tisenjoh 3.208 m/lmd, Abdurahim Abdushi, alpinst.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat