FBAK`u me kartela unike të anëtarësisë

Alpinizem

FBAK`u me kartela unike të anëtarësisë

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 30 shtator 2020 Në ora: 20:19
FBAK`u me kartela unike të anëtarësisë

Këto ditë fillon pajisja e anëtarësisë aktive të shoqërive dhe klubeve anëtare të Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës - FBAK, me kartela unike të anëtarësisë.

Vlefshmëria e kartelës dëshmohet përmes pullës së FBAK`ut, e cila duhet të ngjitet në kartelë. Pulla ka vlefshmëri njëvjeçare dhe do të dallojë, për nga motivi i zgjedhur, nga viti në vit. Ajo njëherësh është edhe dëshmi e kryerjes së pagesës së kuotizacionit në shoqërinë bjeshkatare përkatëse. Koutizacioni vjetor në shoqëritë bjeshkatare për anëtarët e rregullt është 10,00 euro, ndërsa për nxënësit, studentët, pensionistët dhe veteranët e luftës çlirimtare 5,oo euro.

Image

Fotografia: Kartela unike e anëtarësisë në FBAK.

 

Zambaku shqiptar

Motiv në pullën e FBAK`ut për vitin 2020 do të jetë zambaku shqiptar (lat. lilium albanicum; Griseb, L.), bimë barishtore shumëvjeçare, me një kurorë luleje të përbërë nga gjashtë petla qelibar të verdha - e të bukura, si vet vendi ynë.

Image

Zambaku shqiptar lulëzon në periudhën qershor-korrik,

fotografuar në Malet e Sharrit nga Deni Hameli.

Sipas “Fjalorit enciklopedik shqiptar”, zambaku shqiptar konsiderohet si neoendemik* i vendit, i përhapur pothuaj në gjithë territorin, zakonisht në vende me bar, në kullota, në vende të thata shkëmbore të zonave malore, deri në lartësinë 1.700 metra mbi nivelin e detit. 
(* Kuptimi: bimët neoendemike janë bimë që rriten vetvetiu brenda një territori të caktuar e zakonisht të kufizuar, që janë më të reja, dhe në zhvillim e sipër).
Zambaku shqiptar është bimë tipike e bjeshkëve tona shtatlarta, me vlera mjekësore e terapeutike, e cila rritet në natyrë, në të gjitha viset shqiptare. Prandaj meriton të mbrohet me ligj edhe pse në “Listën e kuqe të florës vaskulare të Republikës së Kosovës” ajo bën pjesë në kategorinë e bimëve “më pak të rrezikuara (LC)”, në rangun e shtatë nga gjithsej nëntë kategori. 

Image

Fotografia: Kartela unike e anëtarësisë në FBAK,

ana e pasme dhe vendi i pullës vjetore.

Vazhdojmë me FBAK`un
Me posedimin e kësaj kartele, bjeshkatarët dhe alpinistët, përveç zyrtarizimit të anëtarësisë së tyre në federatën nacionale të bjeshkatarisë dhe alpinizmit të Kosovës, njëkohësisht e mbështesin FBAK`un në përpjekjet e saja për ruajtjen e bukurive dhe origjinalitetit të natyrës duke përfshirë ujërat, florën dhe faunën, qëllim ky që qëndron në vet arsyeshmërinë e ekzistencës së saj*. 
(* Konsultoni “Kodin Etik të Bjeshkatarëve të Kosovës”, parimi VIII: ...Gjatë aktiviteteve tona ne respektojmë pronën e huaj, e mbrojmë mjedisin dhe kujdesemi për të. Ne angazhohemi në mënyrë aktive në mbrojtje të natyrës, ujërave, florës dhe faunës).
Abdurahim Abdushi, më 30 shtator 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat