Luleylli i rrezikuar në mënyrë kritike!

Alpinizem

Luleylli i rrezikuar në mënyrë kritike!

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 2 tetor 2020 Në ora: 21:40
Fotografia: luleylli, fotografuar nga Agnieszka Kwiecień, wikimedia, CC BY-SA 3.0.

Luleylli* (emri shkencor: leontopodium alpinum, Colm. ex Cass), në komunitetin tonë bjeshkatar i njohur edhe si ylli alpin, është bimë barishtore shumëvjeçare, me gjethe e kërcell me push të bardhë e të butë si pambuku. Lulesa e vërtetë, e verdhë, e kësaj bime është e rrethuara nga gjethet heshtake me push të dendur në formë ylli pesë deri pesëmbëdhjetë cepash. 
Falë kërcellit e gjetheve pushatake, dhe lulesës së veçantë, këtë bimë mund ta dallojnë lehtësisht edhe ata që e shohin për herë të parë në natyrë. 
(* Emërtimi sipas “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”; luleýll,-i: emër i gjinisë mashkullore).

Image

Fotografia: luleylli në vendin tonë, fotografuar nga Deni Hameli

në Bjeshkët e Nemuna.

Luleylli akoma rritet në natyrë, në lartësi të mëdha dhe shpesh në vende të vështira për t'u arritur, ndërsa gjatësia e saj arrin mbi 20 centimetra. Në vendin tonë ajo mund të gjendet sidomos në Bjeshkët e Nemuna.
Kjo specie bimore në “Listën e kuqe të florës vaskulare të Republikës së Kosovës” është e renditur në kategorinë “e rrezikuar në mënyrë kritike - (critically endangered - CR)”. I zhdukur në natyrë” është kategorizimi i rradhës.
Ky kategorizim është i bërë sipas kritereve të listës së kuqe globale të IUCN`së dhe bazohet në shkallën e rënies, madhësinë e populacionit, hapësirën e shtrirjes gjeografike si dhe në vlerësimin e fragmentimit të shtrirjes së species së vlerësuar.

Andaj, “Lista e kuqe e florës vaskulare të Republikës së Kosovës” është e rëndësishme sepse ajo e përqendron vëmendjen e të gjithëve që merren me mbrojtjen e natyrës në drejtim të rëndësisë që ka kërcënimi i biodiversitetit, ajo zbulon ato lloje të cilat kanë nevojë për masa mbrojtëse (në këtë rast luleylli) dhe vë bazat e të dhënave për mbikëqyrje të mëtejshme. 

                                                            A e keni ditur, që...
•    ... origjina e luleyllit, simbolit absolut të Alpeve dhe të bjeshkatarëve, ndodhet në vargmalet më të mëdha të Tokës, në Himalaje.
•    ... petlat e bardha të luleyllit janë gjethe, të cilat e rrethojnë lulesën e saj të vërtetë.
•    ... luleylli është një bimë e lashtë mjekësore dhe terapeutike e njohur si "lulebarku", ngase dikur është përdorur për të lehtësuar ankesat gastrointestinale.
•    ... fijet e bardha të luleyllit i reflektojnë rrezet e diellit dhe kështu e mbrojnë atë nga tharja.
Meqenëse luleylli është tejet i rrallë dhe rritet në lartësi e në vende të vështira, atë mund t`ia sjellni të dashurës tuaj të zemrës, më të mirës, të Bukurës së Dheut, si provë të veçantë dashurie, por mjerisht vetëm në fotografi. 

Më 02 tetor 2020, Abdurahim Abdushi, alpinist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat