Deri kur do të pres për pensionin e posaçëm, që më takon, z. Agaçi?!

Alpinizem

Deri kur do të pres për pensionin e posaçëm, që më takon, z. Agaçi?!

Nga: Lazër Rajta, Ish alpinist, Mjeshtër i Madh Më: 7 tetor 2020 Në ora: 22:34
Ëngjëll Agaçi

Nisma e Kryeministrit zoti Rama, kthyer tashmë në ligj që në vitin 2015, për pensionet e posaçme, më është dukur në kohën e duhur dhe si një ofertë e nevojshme për të vlerësuar njerëzit me kontribute të veçanta në të gjitha fushat e jetës. Ky pension jepet për një kategori të veçantë qytetarësh që kanë dhënë kontribut të shquar në shoqëri dhe janë vlerësuar nga shoqëria dhe institucionet e larta të shtetit në karrierën e tyre, të tillë; si aktorët; këngëtarët; shkrimtarë me emër; veteranë; shkencëtarë; njerëz që dallohen për merita të veçanta. Në këtë kategori ju keni përfshirë me të drejtë dhe sportistët, që nuk kanë qenë të përfshirë në ligjin pararendës dhe që me të drejtë duhet të ishin pjesë e këtij vlerësimi financiar për kontributet e tyre të çmuara në dobi të atdheut dhe shoqërisë shqiptare.

I nderuar zoti Agaçi, dalja e këtij ligji më inkurajoi dhe më nxiti që të aplikoja sipas procedurave përkatëse, për të qenë pjesë e këtij shpërblimi të denjë dhe plotësisht të merituar.

Siç ju e dini, për të përfituar këtë lloj pensioni, duhet paraqitur një kërkesë, propozim për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror nga: personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; titullarët e Ministrive, ku punon përfituesi përkatës; kryeministri; kryetari i Kuvendit; presidenti i Republikës. Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet, si vijojnë: fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile; vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit; vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë; Kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë meritat e veçanta si titujt, medaljet, urdhrat etj.

Të gjitha këto unë i kam paraqitur me korrektesë që në momentin e daljes dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji, që u bë një motiv inkurajimi dhe shprese në punën time të përkushtuar si sportist, si alpinist, që jam ngjitur në të gjitha majat e larta të këtij vendi dhe kam pasur rezultate të shkëlqyera në këtë fushë. Ju, zoti Sekretar i Përgjithshëm i KM, jeni personi të cilit i jam drejtuar me shkresat përkatëse dhe funksionari i lartë kompenten për t’i dhënë zgjidhjen e duhur institucionale kësaj çështje.

Por kanë kaluar pesë vjet dhe jo vetëm nuk kam marrë pension të posaçëm, një të drejtë ligjore që ma jep kontributi im lehtësisht i verifikueshëm në fushën e alpinizmit, por nuk kam marrë as dhe përgjigje në lidhje me kërkesën time të drejtë dhe plotësisht legjitime.

Ju bëj me dije, zoti Sekretar i Përgjithshëm, se ishte viti 1980, kur me iniciativën time u ngrit ekipi i alpinizmit në Burrel dhe që atë vit mora pjesë në veprimtari kombëtare. Katër vite më vonë, u caktova si trajner i ekipit të alpinizmit të Matit, duke e ngjitur atë në kategorinë e parë. Për shkak të përkushtimit tim prej sportisti të përkushtuar dhe me talent të veçantë, organet eprore të asaj kohe morën në konsideratë arritjet e mia dhe më dhanë titullin “Mjeshtër i Sportit” për rezultate të larta në sportin e alpinizmit, duke thyer rekorde ngjitjesh të vështira në Alpet e vendit, çertefikuar nga profesorë e mjeshtra, figura të nderuara dhe me kontribute të shquara në fushën e alpinizmit shqiptar.

Jeta ime është e lidhur ngushtë me alpinizmin, këtë sport të bukur, të vështirë e kurajoz, i cili më ka bërë me shumë miq e shokë, duke fituar mbështetjen e mijëra zemrave me çdo ngjitje timen, në çdo mal e grykë të Shqipërisë.

Hapja e vendit me botën, proceset demokratike pas viteve ’90, bënë që alpinizmi të njihte kuota e nivele të reja, kështu që unë, në vitin 1991, mora pjesë në Kampionatin Ndërkombëtar të Alpinizmit, që u zhvillua në Rumani. Ato çaste kur me kuarjë e guxim u ngjita në majat më të larta të zonës së Broshovës, Rumani, do të mbeten përjetë të pashlyera në mendjen time.

Gjatë viteve 1996-1998, kam punuar si instruktor i parë i përgatitjes fizike të Forcave RENEA në Kombinat, ku kam shfaqur cilësitë më të më të mira të një ushtaraku dhe të një sportisti të përkushtuar për liritë njerëzore dhe të drejtat qytetare.

Ish Sekretari Organizativ i Federatës së Alpinizmit shqiptar (1996-2000), katër vjet më vonë (2004) krijova Shoqatën Alpinistike “Tirana” dhe aktualisht jam President i kësaj Shoqate.

Për këto kontribute në sportin e alpinizmit, unë jam dekoruar me Titullin “Mjeshtër i Madh”, si sportist i ngjitjeve të vështira dhe pasioneve të mëdha, çfarë më përfshinë në radhën e sportistëve elitarë, subjekt i këtij ligji.

E vërteta është se, megjithëse kanë kaluar pesë vjet që nga hyrja në fuqi e ligjit për pensionet e posaçme dhe po kaq kohë që unë kam dorëzuar të gjitha dokumentet në bazë të ligjit për të përfituar këtë të drejtë, nuk më është kthyer asnjë përgjigje. Kam bërë të gjitha tentativat institucionale, por kam ndeshur në vesh të shurdhër dhe dyer të mbyllura. Kjo më bën të dyshoj se ato letra që unë kam dorëzuar si aplikim për marrjen e pensionit të posaçëm, janë mbuluar me pluhur në tryeza burokratësh dhe nuk kanë arritur kurrë ndoshta kurrë në dorën tuaj, z. Sekretar i Përgjithshëm dhe aq më pak në dorën e Kryeministrit.

Unë kërkoj që të shqyrtohet me seriozitet kjo çështje, të më jepet zgjidhja ligjore dhe unë të përfitoj një të drejtë të vonuar dhe të garantuar ligjërisht nga qeveria juaj, që të gëzoj në këto ditë pleqërie pensionin e veçantë, jo vetëm si vlerësim material, por edhe si stimul moral, për atë çfarë bëmë ne sportistët e përkushtuar në dobi të njerëzve, të kohës dhe shoqërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat