Dr. Teuta Bicaj: Dashuria për bjeshkët, tejkalon dashurinë për profesionin!

Alpinizem

Dr. Teuta Bicaj: Dashuria për bjeshkët, tejkalon dashurinë për profesionin!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 19 shkurt 2021 Në ora: 15:30
Dr. Teuta Bicaj: Dashuria për bjeshkët, tejkalon dashurinë për profesionin!

Bjeshkataria dhe alpinizmi gjithnjë e më shumë po futen në zemra të te gjitha gjinive pa dallim moshe në Republikën e Kosovës.
Sidomos gjatë vikendeve është bukuri e rrallë kur sheh radhët e gjata në vendet e ndryshme të Kosovës, duke ia mësyrë alpeve shqiptare dhe për të sprovuar veten në lartësi të ndryshme!

Kudo atmosferë, fytyra të buzëqeshura dhe vazhdimisht dëgjon tregime të ndryshme për kënaqësitë që shijojnë në bjeshkë të ndryshme qoftë edhe te ato me panoramë të ashpër.  

Image

Dr. Teuta Bicaj

Kosova është një vend atraktiv pa harruar edhe shtetin amë Shqipërinë, që ka Alpe të mrekullueshme! Jo edhe gjithkush mund të merret me alpinizëm, në radhët të parë duhet të kesh talentin dhe guximin, e që besa Kosova ka heronjtë e vetë të këtij sporti, siç janë babë e bijë Arijanit e Mrika Nikçi, pastaj Uta Ibrahimi, Arineta Mula etj. apo alpinistet e spikatura për ngjitje të jashtëzakonshme në majet më të larta dhe më të rrezikshme të globit, duke e bërë krenarë me të arritura jo vetëm Kosovën por tërë kombin shqiptar.     

Image

Dr. Teuta Bicaj

Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, Dr. Teuta Bicaj, nënkryetare e Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës (FBAK), flet për vështirësitë që u ballafaquan dhe po ballafaqohen në kohë të pandemisë, për objektivat, për peripecitë e ndryshme, po ashtu se sa ndihmohet ky sport nga shteti. Ajo tregon edhe një moment interesant që i ndodhi në kufirin turko-iranian dhe po ashtu edhe për interesimin në vendin tonë për t’u marr me këtë sport. 

“Bota sot”: Viti 2020, vit me peripeci të ndryshme, stres, e besa edhe me frikë të pakufishme, në çdo disiplinë sportive. Për shkak të armikut të padukshëm, Covid-19, Kosova mbetet pa aktivitetet sportive (mars-qershor), sikurse pothuajse edhe i gjithë globi. A ka ndikuar negativisht edhe te bjeshkataria dhe alpinizmi, sidomos koha e izolimit-karantinës?

Dr. Teuta Bicaj: Gjithsesi, koha e izolimit-karantinës, ka ndikuar shumë edhe në aktivitetet tona sportive. Edhe pse aktivitetet tona kryhen në ambiente të jashtme, ishte kufizimi në lëvizje që na i pamundësoi ato, gjatë periudhës së izolimit. 
Pastaj, ishte edhe frika e grumbullimit të më shumë njerëzve, për shkak të mundësisë më të madhe të përhapjes së virusit. 
Ato shoqëri bjeshkatare, që vijnë nga vendet që i kanë bjeshkët afër, nuk i kanë ndalur aktivitetet për asnjë moment, duke dalur në grupe të vogla. Mirëpo ne, nga Prishtina psh, me vet faktin se duhej të udhëtonim deri te një destinacion, para fillimit të ecjes, e kishim më të vështirë daljen. 

Pastaj, shumë aktivitete ne i kryejmë edhe në Shqipëri dhe rajon, e dihet se gjatë izolimit, edhe kufijtë ishin të mbyllur dhe këto aktivitete as që mund të mendoheshin.

Megjithatë, nuk ishte diçka që po na ndodh vetëm neve. Situata e njëjtë ishte pothuajse në gjithë botën, ku u anuluan edhe aktivitete sportive të të gjitha niveleve, deri te lojërat olimpike verore, që do të duhej të mbaheshin verën e kaluar në Tokio, e që shpresojmë se do të realizohen këtë vit, siç është paraparë, me 23 korrik, deri më 8 gusht 2021.

“Bota sot”: Sa vijnë dhe kalojnë vitet, sporti i bjeshkatarisë dhe alpinizmit po bëhet gjithnjë e më i dashur për të gjithë në Kosovë, pa dallim moshe dhe gjinie. Cila është brenga me të cilën po ballafaqoheni më shumë si Federatë?
Dr. Teuta Bicaj:
Është e vërtetë, se viteve të fundit aktivitetet bjeshkatare dhe alpiniste janë masivizuar shumë. Bjeshkataria nuk është sport garues, dhe e mira e këtyre aktiviteteve është se, ka kategori nga më të lehtat, siç janë ecjet në natyrë, me të cilat mund të merren edhe fëmijët e vegjël, dhe të moshuarit, pra, nuk ka ndonjë kufi moshe, dhe kategori të rënda, siç janë ecjet më sfiduese në bjeshkë të larta, por edhe ngjitjet alpine, për çka nevojitet një përgatitje më e madhe dhe një profesionalizëm. 

Brengat si Federatë, janë kryesisht të natyrës organizative, ku hyn edhe realizimi i projekteve të ndryshme, për çka shpeshherë nevojiten edhe mjete më të mëdha financiare, dhe të cilat, është paksa më e vështirë të realizohen. 

Image

Shenjat në shteg

Si Federatë, me angazhimin e madh të kryetarit të Federatës, z. Arben Lila, si dhe gjithë Kryesisë së FBAK, mund të krenohemi se kemi arritur të realizojmë unifikimin e sinjalistikës së shtigjeve në bjeshkë; kemi realizuar pjesën tonë të Via Dinarica, e cila shtrihet nga Sllovenia, e deri në Shqipëri. 
Image

Libri: Aftësitë bjeshkatare- shkolla verore

Pastaj kemi realizuar përkthimin dhe botimin e librit për bjeshkatarinë: Aftësitë Bjeshkatare-Shkolla Verore, që është libër i Unionit Botëror të Bjeshkatarisë, i përkthyer nga unë dhe z. Abdurahim Abdushi, e që ka bërë jehonë të madhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë komunitetin bjeshkatar, shqipfolës, të rajonit. 
Image

Libri, promovimi

Me 16 shkurt, për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet federatave bjeshkatare të Shqipërisë dhe Kosovës. 

Image

Arben Lila dhe Artur Guni

“Bota sot”: A janë frymëzim për gjeneratat e reja, alpinistet tona me famë si, Uta Ibrahimi, Mrika Nikçi, Arineta Mula etj.?
Dr. Teuta Bicaj:
Alpinistet tona, çikat tona, na e kanë zbardhur fytyrën dhe na bëjnë krenarë gjithandej. Gjithsesi, janë frymëzim për çdo gjeneratë, e sidomos për të rinjtë, se gjithçka mund të arrihet me shumë dashuri, por edhe me punë e përkushtim të madh. Do të veçoja sidomos Mrikën, e cila hyri në librin e rekordeve të Ginisit, duke realizuar ngjitjen në 7 majat më të larta, të 7 kontinenteve, ende pa i mbushur 18 vjet. Prandaj edhe kanë marrë epitetet, Mrika e Maleve, Uta e Maleve, Arineta e Maleve.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë bjeshkatarisë dhe alpinizmit, a ndihmohet sa duhet financiarisht nga shteti i Kosovës, dhe si ia dalin klubet që të organizohen në qytete dhe qyteza, qoftë edhe nëpër fshatra?
Dr. Teuta Bicaj
: Aktivitetet tona, flas për pjesën organizative, të gjitha i kryejmë në baza vullnetare. Madje, disa nga Shoqëritë dhe klubet, si “Podguri”, nga Istogu, “Rrasa e Zogut”, nga Juniku, “Gjeravica” dhe “Marimangat”, nga Peja (të më falin ata që nuk i përmenda), falë vullnetit të mirë të entuziastëve, kanë investuar shumë edhe materialisht, për masivizimin, por edhe për promovimin e bukurive që i ka Kosova. Për këtë iu jemi mirënjohës pafundësisht.

Mirëpo, ekspeditat si ajo e Mrikës, Utës, janë shumë të kushtueshme, dhe është pothuajse e pamundur të realizohen pa ndihmën e shoqërisë dhe shtetit. Në rastet e tyre, ka pasur ndihmë financiare, por e pamjaftueshme, por falë familjarëve, miqve, donatorëve etj., ato kanë arritur t’i realizojnë këto ekspedita.

Shteti, kohë pas kohe ndihmon në financimin e projekteve, të cilat shpesh realizohen edhe në nivele komunale. Tani, gjatë kohës së pandemisë, nga MKRS, janë ndarë mjete financiare, për të gjitha shoqëritë dhe klubet, që janë të regjistruara si anëtare të Federatës. 
 
“Bota sot”: Cilat janë objektivat për vitin 2021?
Dr. Teuta Bicaj:
Objektivat për vitin 2021 janë: të vazhdohet me sinjalizimin e digjitalizuar të shtigjeve, të investohet në shkollat e bjeshkatarisë dhe alpinizmit, ku do të përfshihen sidomos të rinjtë. Të punohet për shkollën e udhëheqësve në shteg, në trajnimin e kuadrove për kërkim-shpëtim. 

Duhet përmendur, se jemi pothuajse afër finalizimit të marrëveshjes për sigurimin shëndetësor të alpinistëve, në rast të lëndimeve në bjeshkë. Do të jetë kjo një shumë simbolike që duhet ta paguajnë anëtarët (të ndihmuar nga Federata), por që ofrohet një siguri e madhe, në rastet e ndonjë fatkeqësie që përfundon me lëndime trupore të anëtarëve tanë. 
Tani, në fund të muajit, i kemi zgjedhjet në Federatë, dhe besojmë se kushdo që vjen në pozitën e kryetarit të Federatës, dhe anëtarët e kryesisë, do të punojnë edhe më me përkushtim për realizimin e çdo projekti që është në të mirë të komunitetit bjeshkatar.

“Bota sot”: A pritet që edhe gjatë këtij viti disa nga alpinistët tanë t’i ngjisin majat më të larta në botë?

Dr. Teuta Bicaj: Gjithsesi, alpinistët nuk ndalen asnjëherë në realizimin e aktiviteteve dhe planeve të tyre. 
Uta, i ka të planifikuara dy ngjitje të rëndësishme dhe mjaftë sfiduese, që janë pjesë e projektit të saj “Utalaja Himalaja”, për ngjitjen e 14 majave më të larta mbi 8000-metërshe, në botë. Njëra nga ato është maja K2, që njihet si maja më e vështirë për t’u arritur, teknikisht. Asaj i urojmë fat. I priftë e mbara. 
Ndërsa, për projekte të tjera më të mëdha, nuk kam njohuri. 

“Bota sot”: Si shumë alpinistë dhe bjeshkatarë, edhe ju keni sfiduar veten duke u ngjitur në maja të ndryshme të alpeve shqiptare. A keni pasur momente të sikletshme me ndonjë të papritur ose rrezikshmëri që u shfaq aty për aty, apo siç thuhet në zhargonin sportiv: Jetë a vdekje?

Dr. Teuta Bicaj: Mbase jo sikurse Uta dhe Mrika (haha), por edhe unë kam ngjitur shumë maja, jo vetëm në Alpet Shqiptare, për edhe më larg. 

Image

Maja e Jezerës

Ndër momentet më të sikletshme që më bien ndërmend tani janë 2: Gjatë zbritjes nga Maja e Jezerës në Bjeshkët e Nemuna, Shqipëri, derisa ishim ende shumë lart, ra një mjegull aq e dendur, sa ishte rrezik të bëje madje edhe vetëm një hap, se nuk e dije se ku do të përfundosh. Është dashur të presim një kohë, duke mos bërë asnjë hap, derisa është tërhequr mjegulla, që pastaj të mund të vazhdojmë të zbresim.

Image

Ararat, 5137 metra

Dhe e dyta, gjatë ngjitjes në Majën Ararat, që është në kufi ndërmjet Turqisë dhe Iranit, nga pamjaftueshmëria e oksigjenit, në 4800 metra lartësi, e kam përjetuar ndjenjën e “qetësisë” së thellë, kur nuk do asgjë tjetër vetëm të flesh. Ajo njihet si “Vdekja e bardhë”, por që fatmirësisht kam reaguar me kohë, në fakt, jam detyruar të kthehem në kampin në 4200 metra. 
Për fund një porosi: Mos u ndalni kurrë, të bëni atë që ju bën të ndiheni mirë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat