A mundet Presidenti Trump të shkarkojë kreun e Rezervës Federale?

Amerika

A mundet Presidenti Trump të shkarkojë kreun e Rezervës Federale?

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 16:29
Jerome Powell

Njoftimet se Presidenti amerikan Donald Trump ka filluar të diskutojë për shkarkimin e Kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, kanë krijuar shqetësim. Rezerva Federale rriti normat e interesit për të katërtën herë brenda këtij viti, për shkak të forcimit të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.

Njoftimet se Presidenti Trump ka pyetur nëse ai ka autoritetin për të shkarkuar zotin Powell kanë krijuar shqetësime tek anëtarët e Kongresit, ekonomistët dhe drejtuesit e bursës Wall Street, si dhe e shtynë Sekretarin e Thesarit Steven Munchin të trasmetojë në orët e vona të së shtunës një deklaratë të Presidentit përmes Twitter-it:

“ Kam folur me Presidentin dhe ai tha se ‘jam plotësisht jo dakort me politikën e bankës federale. Mendoj se rritja e normave të interesit dhe tkurrja e aksioneve të rezervës federale janë hapa të tmerrshëm në këtë kohë, në veçanti ndërsa po zhvillohen negociatat e tregtisë. Por, unë nuk sugjeruar kurrë shkarkimin e Kryetarit Powell dhe as nuk mendoj se e kam të drejtën ta shkarkoj’. ”

Rezerva Federale rriti normat e interesit për të katërtën herë brenda këtij viti, për shkak të forcimit të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.

“Ky është viti më i mirë që nga kriza financiare, me rritje mbi normalen”, deklaroi zoti Powell.

Këshilltarët e kanë paralajmëruar Presidentin Trump se shkarkimi i zotit Powell do të turbullonte më tej tregjet financiare. Megjithatë, njoftohet se ai e ka diskutuar çështjen disa herë gjatë ditëve të fundit.

Zoti Powell u emërua në këtë detyrë nga vetë Presidenti Trump. Kryetari i Rezervës Federale shërben në detyrë për një mandat 5-vjeçar, por praktika ka qenë që ka vazhduar në detyrë për sa kohë ka dëshiruar.

Ekspertët ligjorë thonë se nuk është e qartë nëse Presidenti ka autoritetin për të shkarkuar kreun e Rezervës Federale. Në ligjin përkatës thuhet se kryetari mund të shkarkohet vetëm me motivacion, i cili përgjithësisht ka të bëjë me një aktivitet kriminal ose shkelje të rënda./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat