Trump dhe demokratët bëhen gati për vitin 2019

Amerika

Trump dhe demokratët bëhen gati për vitin 2019

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 21:17
SHBA

2018-a ishte vit ndryshimesh në politikën amerikane. Demokratët e opozitës rimorën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e Kongresit në nëntor dhe kjo mund të ketë ndikim gjatë dy viteve të ardhshme të mandatit të Presidentit Donald Trump.

“Falë jush, nesër do të jetë një ditë e re në Amerikë!”, tha udhëheqësja e demokratëve në Kongres, Nancy Pelosi pas rezultateve të zgjedhjeve të Kongresit që u rikthyen shumicën demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Demokratët e siguruan fitoren me një kundërshtim të fortë ndaj Presidentit Donald Trump, që u shpreh përmes pjesëmarrjes së lartë të grave dhe votuesve progresistë, në mbështetje të kandidatëve si demokratja nga Masaçusets, Ayanna Pressley.

“Ne konfirmuam se nuk do të lejojmë që kjo të jetë periudha më e errët në histori. Fati ynë do të përvaktohet nga shpresat jo nga frika”.

Presidenti Trump tani përballet me perspektivën e një programi legjislativ dhe hetime të shumta të ndërmarra nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve.

Por zoti Trump vazhdon të mbetet sfidues.

“Nuk kanë gjetur asgjë. Zero. E dini pse? Sepse nuk ka asgjë. Ata mund ta bëjnë këtë lojë, por ne mund të luajmë më mirë”, është shprehur ai.

Presidenti Trump dhe udhëheqësit demokratë kanë filluar përplasjet për financimin e murit në kufi, një parathënie e betejave të pritshme politike, thotë analisti John Fortier.

“Demokratët me siguri do ta përdorin shumicën për të nxjerrë në pah mosmarrëveshjet me Donald Trumpin dhe për të hetuar administratën e Presidentit Trump. Dhe ky do të jetë një vit tranzicioni deri në 2020-ën”, thotë ai.

Pa një kontroll të plotë të republikanëve në Kongres, zotit Trump mund t’i duhet të arrijë disa marrëveshje me demokratët, thotë Jim Kessler.

“Nuk kemi parë ende që Donald Trump të ketë aftësinë të bashkëpunojë me demokratët për të arritur ndonjë marrëveshje në dy vitet e para. Kështuqë ai nuk ka pasur sukses në këtë drejtim dhe do të shohim nëse do të jetë e mundur në vazhdim”.

Por presidentit i duhet të përballet edhe me hetimin për Rusinë, që në muajt e ardhshëm mund të përfundojë.

Ja ç’thotë analisti politik, Tom DeFrank:

“Është një vit vendimtar për Presidentin Trump. Atij do t’i duhet të përballet me përfundimet e hetimit të zotit Mueller. Dhe do të jetë një vit i vështirë për të”.

Zoti Trump gjithnjë e më shumë do të përqendrohet tek zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ashtu si edhe shumë demokratë që shpresojnë ta mundin atë, thotë Guian McKee.

“E vërteta është se fushata e vitit 2020 ka filluar. Është disi për të ardhur keq por ky fakt përcakton gjithçka tani e tutje”.

Rrjedha e ngjarjeve në vitin 2019, do të jetë një faktor i rëndësishëm për të përcaktuar nëse Donald Trump do të jetë president për një apo dy mandate. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat