Pa kaluar ende një muaj nga dorëheqja e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, tërheqjen nga posti e ka njoftuar edhe shefi i stafit të Departamentit të Mbrojtjes (Pentagon), Kevin Sweeney.
Nënadmirali Kevin Sweeney e justifikoi dorëheqjen e tij duke thënë se “është koha e duhur për t’u rikthyer në sektorin privat”.
Sweeney është zyrtari i tretë i lartë i Pentagonit që njofton dorëheqjen pasi Presidenti Donald Trump vendosi për të tërhequr trupat amerikane nga Siria.
Ai ka qenë në postin e shefit të stafit të Pentagonit që nga janari i vitit 2017.
Njoftimi i nënadmiralit Sweeney vjen vetëm pak ditë pasi Mattis u largua nga posti sekretarit të Mbrojtjes më herët sesa ishte parashikuar, pasi fillimisht mendohej se ai do të qëndronte deri në shkurt.
Dorëheqjen e ish-sekretarit Mattis e pasoi më parë edhe ajo e zëdhënëses së Pentagonit, Dana White.