Trumpi do të mbajë fjalim televiziv për krizën në kufirin me Meksikën - Bota Sot
Trumpi do të mbajë fjalim televiziv për krizën në kufirin me Meksikën

Amerika

Trumpi do të mbajë fjalim televiziv për krizën në kufirin me Meksikën

Më: 8 janar 2019 Në ora: 15:42
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të paraqitet me një fjalim që do të transmetohet në shumicën e televizioneve kryesore të vendit. Pritet që ai të mundohet ta marrë përkrahjen e qytetarëve për idenë e tij tashmë të njohur, atë të ndërtimit të murit përgjatë një pjese të kufirit me Meksikën.

Fjalimi i tij do të transmetohet në orën 21 sipas kohës lokale. Njëra ndër synimet e këtij fjalimi do të jetë edhe bindja e demokratëve për ta mbështetur kërkesën e tij për financim të murit. Sipas Trumpit, ky mur është i nevojshëm për ta parandaluar hyrjen e drogës dhe imigrantëve ilegalë në Shtetet e Bashkuara.

Të gjitha televizionet kryesore kanë pranuar që ta transmetojnë deklaratën e tij, ndërsa kjo i ka shtyrë demokratët që ta kërkojnë kohën e njëjtë të transmetimit televiziv edhe për paraqitjet e tyre. “Tash që rrjetet televizive kanë vendosur ta transmetojnë fjalimin e presidentit, edhe demokratëve duhet t’u ipet menjëherë sasia e njëjtë e kohës për transmetim”, thuhet në deklaratën e përbashkët të udhëheqëses demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve dhe udhëheqësit demokrat të Senatit.

Rrjeti televiziv “CNN” ka deklaruar se do t’ua mundësojë demokratëve të kundërpërgjigjen ndaj fjalimit të presidentit përmes ekranit të tyre. Zëvendës-presidenti Mike Pence ka thënë se Trumpi do ta shfrytëzojë këtë paraqitje televizive për t’i treguar popullit amerikan se në kufirin jugor të SHBA-së po krijohet një krizë humanitare dhe e sigurisë, shkruan “Reuters”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...