SHBA: Vdekjet nga kanceri në ulje për 25 vjet me radhë

Amerika

SHBA: Vdekjet nga kanceri në ulje për 25 vjet me radhë

Më: 10 janar 2019 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

Përqindja e vdekjeve nga kanceri në Shtetet e Bashkuara, ka shënuar rënie për të paktën 25 vjet me radhë, sipas një raporti të ri.

Pakësimi i pirjes së duhanit ka ulur numrin e vdekjeve dhe përparimet më diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm, kanë pasur një ndikim pozitiv, thonë ekspertët.

Por nuk ka vetëm lajme të mira. Vdekjet nga kanceri të lidhura me obezitetin po rriten dhe vdekjet nga kanceri i prostatës nuk po pakësohen më, thotë Rebecca Siegel, autorja kryesore e raportit të Shoqatës Amerikane të Kancerit, botuar të martën.

Kanceri mbetet gjithashtu shkaktari numër 2 i vdekjeve në vend. Shoqata parashikon se do të ketë mbi 1.7 milionë raste të reja kanceri dhe mbi 600 mijë vdekje nga kanceri në Shtetet e Bashkuara këtë vit.

Ja një përmbledhje e gjetjeve të raportit:

Rënie

Kohët e fundit ka pasur shumë lajme të këqia përsa i takon numrit të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Në vitin In 2017, u vu re rritje në numrin e vdekjeve nga 7 prej 10 shkaqeve kryesore, sipas shifrave qeveritare të kohëve të fundit. Por përsa i takon kancerit, lajmet kanë qenë pozitive.

Përqindja e vdekjeve nga kjo sëmundje ishte në rritje deri në fillim të viteve 1990. Që nga ajo kohë ka qenë në rënie, duke shënuar një ulje 27 për qind nga viti 1991 deri në vitin 2016, thotë Shoqata për Kancerin.

Arsyeja kryesore është kanceri në mushkëri, që është lloji më vdekjeprurës, sidomos mes meshkujve. Por përqindja e vdekjeve ka rënë afro 50 për qind. Ishte një efekt i vonuar nga pakësimi i përdorimit të duhanit që filloi në vitet 1960, tha studiuesja Siegel.

Kanceri i prostatës

Raporti sjell të reja të përziera lidhur me kancerin e prostatës, shkaku i dytë i vdekjeve nga kanceri tek burrat.

Përqindja e vdekjeve nga kanceri i prostatës u përgjysmua në dy dekadat e fundit, por ekspertët janë përpjekur të zbulojnë nëse kjo prirje u zmbraps pas një vendimi në vitin 2011 nga Grupi i Punës për Shërbime Parandaluese në SHBA, që të mos rekomandonte më analizat e gjakut rutinë për këtë sëmundje për burrat. Vendimi u mor nga shqetësimet se analiza po sillte diagnoza të ekzagjeruara dhe trajtim të tepërt.

Përqindja e vdekjeve nga prostata mbeti në vend nga 2013 deri në 2016. Pra, nëse analiza e gjakur për këtë sëmundje mund të ketë dhënë diagnozë të gabuar për ata që në të vërtetë nuk kishin nevojë për trajtim, nga ana tjetër mund të ketë parandaluar disa vdekje nga ky kancer, sipas raportit.

Obeziteti

Nga llojet më të përhapura të kancerit në Shtetet e Bashkuara, të gjitha ato me raste në rritje vdekjeje, janë të lidhura me obezitetin, përfshirë kancerin e pankreasit dhe mitrës.

Një tjetër lloj kanceri, është ai i mëlçisë. Rastet e vdekjes nga kanceri i mëlçisë, janë rritur që nga vitet 1970 dhe fillimisht shtimi i tyre ishte i lidhur me infeksionet e hepatitit C mes atyre që abuzojnë me drogën. Por tani obeziteti është shkaktari i një të tretës së vdekjeve nga kanceri dhe është faktor më i përhapur sesa hepatiti, tha zonja Siegel.

Pabarazia

Ka pasur një rënie në hendekun historik racor mes vdekjeve nga kanceri, por tani hendeku ekonomik po thellohet, veçanërisht përsa u takon rasteve të parandalueshme nga kontrollet dhe trajtimi i hershëm, ushqyerja më e shëndetshme dhe pakësimi i përdorimit të duhanit.

Në fillim të viteve 1970, vdekjet nga kanceri i zorrës së trashë në vendet më të varfra ishin 20 për qind më të pakta sesa ato në vendet e pasura; sot ku numër ëshë 30 për qind më i lartë. Vdekjet nga kanceri i qafës së mitrës janë dy herë më të larta sesa ato mes grave në vendet e zhvilluara. Dhe rastet e vdekjeve nga kanceri i mushkërive dhe mëlçisë janë 40 për qind më të shumta për meshkujt në vendet e varfra.

Dr. Darrell Gray, zëvendës drejtor i Qendrës për Barazi në Kujdesin Shëndetësor për Kancerin, në Universitetit Shtetëror të Ohajos, i cilësoi gjetjet "të rëndësishme por jo befasuese".

"E kemi ditur prej kohësh se raca nënkupton faktorë të tjerë, si varfëria dhe vështirësia për të siguruar dhe përballuar vizitat mjekësore", thotë ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat