SHBA, qeveria ende në mbyllje të pjesshme - Bota Sot
SHBA, qeveria ende në mbyllje të pjesshme

Amerika

SHBA, qeveria ende në mbyllje të pjesshme

Më: 16 janar 2019 Në ora: 17:31
SHBA

Agjencitë qeveritare amerikane vazhdojnë të jenë të mbyllura prej disa javësh për shkak të mosmarrëveshjeve mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësve të Kongresit lidhur me ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën.

Por senatori republikan Lindsey Graham thotë se shpreson që një grup ligjvënësish nga të dyja partitë të mund ta thyejnë ngërçin për të rihapur agjencitë e mbyllura.

Senatori Graham, një nga mbështetësit më të vendosur në Kongres të zotit Trump foli rreth mundësive për t'i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë dhe për të ndërmarrë hapa që do t’i jepnin zgjidhje kërkesës së zotit Trump për më shumë se 5 miliardë dollarë për murin.

Image
Lindsey Graham

"Mendoj se ka një grup në rritje të senatorëve demokratë që nuk ndajnë pikëpamjen e Nancy Pelosi-t, e cila thotë se për murin do të merrni vetëm një dollar. Ka shumë demokratë që janë të gatshëm të ndihmojnë presidentin të përmbushë prioritetet e tij një mënyrë të arsyeshme, nëse edhe ata marrin diçka në këmbim. Ndaj shpresoj që në 24 orët e ardhshme të dalë një grup republikanësh e demokratësh, të cilët në thelb do t'i kërkojnë presidentit të na japë disa javë kohë për të punuar rreth kësaj çështjeje, për të parë nëse mund të prodhojmë një rezultat në Senat."- tha ai.

Nuk është e qartë nëse një përpjekje dypartiake do të lëkundë zotin Trump, i cili tha të hënën se nuk është i interesuar për asnjë propozim për të rihapur përkohësisht qeverinë.

Udhëheqësi i pakicës demokrate Chuck Schumer i bëri thirrje udhëheqësit të shumicës në Senat Mitch McConnell që të lejojë një votim mbi legjislacionin e miratuar tashmë nga Dhoma e Përfaqësuesve për të rihapur agjencitë e mbyllura.

Rreth 800,000 punonjës federalë kanë marrë leje të detyruar ose po punojnë pa pagesë.

Demokratët propozojnë shtyrjen e fjalimit

Image
Nancy Pelosi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësueve Nancy Pelosi i ka kërkuar presidentit Donald Trump të ndryshojë datën e mbajtjes së fjalimit të tij vjetor përpara Kongresit, për shkak të mbylljes së pjesshme së qeverisë amerikane.

Fjalimi parashikohet të mbahet më 29 janar në Kongres. Zonja Pelosi i shkruante zotit Trump duke përmendur shqetësimet që lidhen me sigurinë. Sipas saj, Shërbimi Sekret i ngarkuar me detyrën e garantimit të sigurisë gjatë fjalimit, nuk ka marrë fonde për shkak të mbylljes së qeverisë.

"Duke pasur parasysh shqetësimet që lidhen me sigurinë sugjeroj që të punojmë së bashku për të përcaktuar një tjetër datë të përshtatshme për këtë fjalim pasi të jetë rihapur qeveria ose të shihni mundësinë ta dërgoni të shkruar fjalimin drejtuar kombit më 29 janar,” shkruhej në një letër të udhëheqëses së lartë demokrate drejtuar presidentit./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...