Çështja e murit kufitar, Nancy Pelosi kundrejt Donald Trumpit

Amerika

Çështja e murit kufitar, Nancy Pelosi kundrejt Donald Trumpit

Më: 22 janar 2019 Në ora: 21:21
Donald Trump dhe Nancy Pelosi

Presidenti Donald Trump tha të martën se nuk do të heqë dorë nga kërkesa e tij për murin në kufirin me Meksikën, ndërsa mbyllja e pjesëshme e qeverisë amerikane hyri në muajin e dytë, një kohë rekord për mbylljen e qeverisë në historinë amerikane.

"Pa patur murin, vendi ynë nuk ka për të patur kurrë siguri kufitare, apo kombëtare. Në se kemi një mur të fuqishëm, apo një barrierë çeliku, ritmi i krimeve dhe drogave do të ulet në mënyrë të ndjeshme në të gjithë vendin. Demokratët e dinë këtë gjë, por ata duan të luajnë lojëra politike”, shkroi në Twitter Presidenti.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuevse nën kontrollin e demokratëve, Nancy Pelosi, që ka qenë një kundërshtare e zëshme e murit të propozuar nga zoti Trump, tha se "Siguria në kufi është një përgjegjësi për të gjithë ne. Është një betim i yni për të mbrojtur popullin amerikan dhe ai ka të bëjë me të gjithë kufirin e Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm me kufirin në pjesën jugore të vendit. Le të shpresojmë që Presidenti nuk ka për t’i mbajtur më peng të murit punonjësit federalë, të cilët me punën e tyre plotësojnë shumë nga nevojat e popullit amerikan.”

Republikanët në Senat filluan përpjekjet për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë dhe për miratimin e murit që kërkon Presidenti, si pjesë e një pakete me masa të propozuara prej tij, sipas të cilës, qindra mijëra imigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara do të lejoheshin të qëndronin në Shtetet e Bashkuara për tre vjet, para se të deportoheshin në vendin e tyre.

Të enjten pritet të zhvillohet një votim në Senat për këtë plan, por nuk ka të dhëna, në se do të ketë demokratë të opozitës që ta miratojnë projektligjin, për të patur votat e nevojshme për kalimin e tij.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë vendosi të martën që të mos nxitohet në marrjen e një vendimi të menjëhershëm mbi një kërkesë të administratës Trump, për t’i dhënë fund programit të nisur nga ish Presidenti Barack Obama, për mbrojtjen nga deportimi të rreth 700 mijë personave të sjellë në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë, duke i lejuar ata të qëndrojnë në vend në mënyrë të papërcaktuar.

Nga mbyllja e pjesëshme e qeverisë ende 800 mijë punonjës qeveritarë vazhdojnë të mos paguhen. Mes tyre, 420 mijë janë të detyruar të punojnë pa pagesë, ndërsa të tjerët, të qëndrojnë në shëpi./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat