Senati kundërshton tërheqjen e trupave nga Siria dhe Afganistani

Amerika

Senati kundërshton tërheqjen e trupave nga Siria dhe Afganistani

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 16:19
Senati amerikan

Senati amerikan i udhëhequr nga republikanët miratoi një projektligj, kryesisht simbolik, që kundërshton planet për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria dhe Afganistani.

Projektligji paraqet një kundërshtim ndaj planeve të presidentit Donald Trump për tërheqje nga Siria dhe Afganistani.

Republikanët rrallëherë ndërmarrin masa kundërshtuese ndaj presidentit Trump.

Me mbështetje të konsiderueshme nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë, Senati më 31 janar votoi me 68 vota për dhe 23 kundër në favor të një amendamenti jodetyrues ku thuhet se Senati besonte se grupet militante islamike në të dy vendet vazhdojnë të përbëjnë një "kërcënim serioz" ndaj sigurisë së SHBA-së.

Amendamenti pranon se është bërë përparim në luftën kundër Shtetit Islamik dhe kryengritësve të Al Kaidës në të dyja vendet.

Por, aty theksohet se rajoni mund të destabilizohet nëse "një tërheqje e shpejtë" ndodh pa u siguruar në masat e marra për përmirësimin e situatës. Kjo pasi do të krijohej një vakum që mund të mbushet nga Irani ose Rusia.

Legjislacioni i bëri thirrje administratës së SHBA-së për të verifikuar kushtet që janë përmbushur për "mundjen" e grupeve militante përpara se ndonjë tërheqje e konsiderueshme e trupave të bëhet nga Siria ose Afganistani.

Projektligji u hartua nga udhëheqësi i shumicës republikane Mitch McConnell, i cili ka folur rrallë kundër presidentit Trump ose politikave e tij.

McConnell tha këtë javë se amendamenti i Senatit "do të pranonte faktin e qartë se Al-Kaida, Shteti Islamik dhe bashkëpunëtorët e tyre në Siri dhe Afganistan vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për kombin tonë".

"Ligji do të pranonte rrezikun e një tërheqjeje të shpejtë nga konflikti dhe thekson nevojën për angazhim diplomatik dhe zgjidhje politike për konfliktet në Siri dhe Afganistan", tha ai.

Senatori republikan, Marco Rubio tha se tërheqja e planifikuar e presidentit Trump ishte një "ide e keqe".

Presidenti Trump habiti ligjvënësit e SHBA-së dhe aleatët ndërkombëtarë kur më 19 dhjetor të vitit të kaluar, njoftoi se po tërhiqte të gjitha trupat amerikane nga Siria.

Ushtria amerikane atje po ndihmojnë një aleancë siriane-arabe dhe kurde në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe forcave të tjera.

"Ne kemi fituar kundër Shtetit Islamik, dhe tani është koha që trupat tona të kthehen në shtëpi." pati deklaruar presidenti Trump.

Presidenti Trump ka mbrojtur në mënyrë të përsëritur vendimin e tij, duke thënë se trupat fillimisht shkuan atje për tre muaj, por kanë mbetur për vite me radhë. Zyrtarët e SHBA-së, duke përfshirë zëvendëspresidentin Mike Pence, kanë thënë se Trump është në "procesin e vlerësimit" nëse do të tërheqë disa trupa nga Afganistani, që kanë qenë atje që nga viti 2001./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat