SHBA e mbështet rolin e Kabulit në bisedimet e paqes - Bota Sot
SHBA e mbështet rolin e Kabulit në bisedimet e paqes

Amerika

SHBA e mbështet rolin e Kabulit në bisedimet e paqes

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 20:23
Patrick Shanahan

Ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, tha se është e rëndësishme që Qeveria e Afganistanit të përfshihet në bisedimet për t'i dhënë fund luftës 17-vjeçare në këtë vend.

Shanahan, i cili qëndroi të hënën në Afganistan, në një vizitë të paparalajmëruar, takoi presidentin afgan, Ashraf Ghani, dhe trupat amerikane atje.

Qeveria e Ghanit është lënë jashtë negociatave për paqe midis përfaqësuesve talibanë dhe të dërguarve amerikanë, për shkak të refuzimit të talibanëve për të negociuar me qeverinë, të cilën e cilësojnë si “kukull” të SHBA-së.

“Është e rëndësishme që Qeveria afgane të përfshihet në diskutimet sa i përket Afganistanit”, u tha Shanahan gazetarëve që udhëtuan me të.

“Afganët duhet të vendosin se si do të duket Afganistani në të ardhmen. Nuk bëhet fjalë për SHBA-në, por për Afganistanin”, tha ai, përcjell rel.

Shanahan, i cili po e ushtron detyrën e sekretarit të Mbrojtjes prejse James Mattis ka dhënë dorëheqje në dhjetor, për shkak të dallimeve me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, tha se nuk mund të ofrojë asnjë garanci, sepse i dërguari amerikan, Zalmay Khalilzad, po i udhëheq bisedimet.

Shanahan tha se qëllim i udhëtimit të tij ka qenë të kuptojë situatën në terren dhe të informojë Trumpin në lidhje me të.

Ai po ashtu tha se nuk ka udhëzime nga Shtëpia e Bardhë për të reduktuar trupat amerikane në Afganistan, nga 14,000 sa janë aktualisht.

Ka pasur raporte se Trump do që të zvogëlojë në gjysmë numrin e forcave amerikane atje.

Trump tashmë ka njoftuar se do t’i tërheqë të 2,000 ushtarët amerikanë nga Siria.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...