SHBA, Në pritje të votës mbi sigurinë kufitare

Amerika

SHBA, Në pritje të votës mbi sigurinë kufitare

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 17:44
SHBA

Ligjvënësit amerikanë pritet të votojnë sot mbi një marrëveshje financimi për të shmangur një tjetër mbyllje të qeverisë, duke siguruar para për ndërtimin e barrierave dhe masave të tjera të sigurisë në kufirin me Meksikën.

Anëtarët e Kongresit dhe stafi i tyre punuan të mërkurën deri vonë për të finalizuar legjislacionin që u hartuar nga një komision dypartiak, i cili duhet të gjente gjuhën e përbashkët për çështjet e sigurisë kufitare.

Komisioni ishte zgjidhja e kompromisit që i dha fund mbylljes së pjesshme 35 ditore të qeverisë. Mbyllja u shkaktua sepse republikanët dhe demokratët ishin të ndarë lidhur me kërkesën e Presidentit Donald Trump për 5,7 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri në kufirin jugor.

Projekt-ligji i ri nuk përmbush kërkesën e Presidentit dhe parashikon vetëm 1,37 miliardë dollarë për barrierat kufitare përgjatë 90 kilometrave. Ai përfshin ndërkaq përmirësime teknologjike për pikat e hyrjes në kufi, më shumë doganierë dhe ndihma humanitare.

Projektligji duhet të miratohet nga Kongresi dhe të nënshkruhet nga Presidenti para mesnatës të së premtes, përndryshe një e katërta e qeverisë mbetet pa financim. Zoti Trump tha të mërkurën se nuk e kishte marrë ende vendimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat