Maduro fton për takim të dërguarin amerikan në Venezuelë - Bota Sot
Maduro fton për takim të dërguarin amerikan në Venezuelë

Amerika

Maduro fton për takim të dërguarin amerikan në Venezuelë

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 20:39
Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ka ftuar për takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara në Karakas pasi bëri të ditur se Ministri i Jashtëm Jorge Arreaza kishte zhvilluar bisedime sekrete në Nju Jork me të dërguarin amerikan për Venezuelën. Komentet e udhëheqësit të Venezuelës pasojnë deklaratat e diplomatit amerikan Elliot Abrams se koha e bisedimeve me zotin Maduro ka kaluar.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se edhe ai është i gatshëm të takohet me të dërguarin e posaçëm Elliot Abrams, i cili kohët e fundit ka thënë se ka kaluar koha për bisedime me Maduro.

Zoti Maduro thotë se vendi i tij do t’ia dilte nëse do të lihej i qetë.

"Nëse Donald Trump do të vendosë nesër të mos përzihet në punët e Venezuelës, Venezuela do të shkëlqente, do të rimëkëmbej shpejt, do të gjente zgjidhje përmes dialogut politik, por dora e infektuar e Donald Trump-it po dëmton Venezuelën. Ata kanë shpikur një krizë dhe grupi i ekstremistëve që shoqërojnë Donald Trump-in, imagjinoni John Bolton-in (Këshilltar i Sigurisë Kombëtare), Elliot Abrams-in, grupi i ekstremistëve që e rrethojnë atë, e ka futur atë në një rrugë pa shteg, dhe kjo po e dëmton Venezuelën. I them Donald Trumpit : mbani duart larg Venezuelës dhe Venezuela do të lulëzojë e ne do të ktheheshim në rrugën e duhur", tha Presdienti Nicolas Maduro.

Deri tani zyrtarët amerikanë nuk kanë reaguar ndaj komenteve të Maduros.

Ndërkohë, ministri i jashtëm i Venezuelës, Jorge Arreaza tha të enjten se po formon një koalicion diplomatësh që besojnë se Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët po shkelin kartën e Kombeve të Bashkuara kundër ndërhyrjeve ndaj shteteve anëtare.

“Ne të gjithë kemi të drejtë të jetojmë pa kërcënimin e përdorimit të forcës dhe pa aplikimin e masave të paligjshme, shtrënguese dhe të njëanshme”, tha Jorge Arreaza, Ministër i Jashtëm i Venezuelës.

Zoti Maduro refuzon të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare të Shteteve të Bashkuara në vend, duke thënë se Venezuelës nuk i nevojiten ato dhe e quan ofertën për ndihmë një pretekst për një pushtim nga Shtetet e Bashkuara. Rusia, Kina, Irani, Koreja e Veriut dhe Kuba janë në mesin e vendeve që mbështesin zotin Maduro.

Ndërkohë, miliarderi Richard Branson njoftoi se do të organizojë një koncert bamirësie të premten e ardhshme, me artistë rajonalë dhe ndërkombëtarë "për të mbledhur fonde për dërgimin e ndihmave në Venezuelë". Koncerti është planifikuar të mbahet në Kukuta të Kolumbisë, ku ndihmat e Shteteve të Bashkuara po ruhen në një magazinë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...