Vazhdon kriza politike në Venezuelë

Amerika

Vazhdon kriza politike në Venezuelë

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 18:31
Qindra vullnetarë mblidhen në një qendër të shpërndarjes së ushqimeve në Majami

Ndërsa tonelata të ndihmave amerikane për Venezuelën vazhdojnë të mblidhen në qendrat e grumbullimit në Kolumbi, Brazil, dhe Majami, Presidenti i përkohshëm Juan Guaidó po i siguron venezuelianët se ndihma do të fillojë të hyjë në vend të shtunën, më 23 shkurt. Ndërkohë, mbështetësit e qeverisë së kontestuar të Nikolas Maduros po mbledhin nënshkrime kundër Presidentit Donald Trump, ndërsa banorët e tjerë të vendit jetojnë në vështirësi në mes të krizës politike.

Qindra vullnetarë mblidhen në një qendër të shpërndarjes së ushqimeve në Majami, që u hap këtë javë, për të grumbulluar paketuar dhe organizuar mijëra artikuj ushqimorë për Venezuelën.

"Ky është një avion mjaft i madh, në të cilin mund të ngarkohen deri në 110 ton dhe deri tani kemi mbushur dy kontejnerë. Për fat të mirë dhe falë ndihmës së shumë komuniteteve të Floridës së Jugut, ne arritëm të mbushnim një kontenjer për një kohë rekord të dielën."

Marisol Dieguez mbikqyr këtë qendër grumbullimi. Organizatorët kryesisht kërkojnë ilaçe dhe pajisje ortopedike. Ajo pret që shumë qytete të Amerikës të dërgojnë furnizime në ditët e ardhshme.

"Ne duhet të mbushim katër kontejnerë dhe t’i dërgojmë ata në një aeroplan amerikan që mund të transportojë materiale me peshë deri 110 tonë".

Në Karakas, ndërkohë, mbështetësit e Presidentit të kontestuar, Nikolas Maduro, po mbledhin nënshkrime kundër Shteteve të Bashkuara për njohjen nga ana e saj të Juan Guaido-s si President të përkohshëm të vendit. Slogani i tyre është "Duart largë Venezuelës". Ata planifikojnë të dërgojnë sa më shumë nënshkrime në Uashington për të protestuar kundër politikës amerikane ndaj Venezuelës.

"Ne po mbledhim nënshkrime kundër perandorisë, në mënyrë që ata të mos e pushtojnë vendin tonë. Ne jemi kundër perandorive që kanë pushtuar shumë vende të botës dhe besojnë se janë mbretër të botës", thotë Virginia Hernandez, mbështetëse e Nikola Maduros.

Të tjerët i mirëpresin veprimet e Presidentit Trump për të ushtruar presion ndërkombëtar mbi Maduron, si Angel Medina Davis nga Organizata e Parlamenteve të Shteteve të Amerikës Latine.

"Presidenti Trump e bëri shumë të qartë, Shtetet e Bashkuara janë vërtet të shqetësuara dhe të vendosura që Venezuela të kthehet në demokraci".

Ndërkohë që konfrontimet politike mes Guaidos dhe Maduros vazhdojnë, kriza humanitare në Venezuelë është më e rënda në hemisferën perëndimore. OKB-ja parashikon se 5,3 milionë njerëz do të largohen nga Venezuela këtë vit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat