Guaido kërkon nga BE-ja më shumë sanksione kundër Maduros

Amerika

Guaido kërkon nga BE-ja më shumë sanksione kundër Maduros

Më: 7 mars 2019 Në ora: 15:59
Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido.

Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido, i ka bërë thirrje Evropës që të shtojë sanksionet financiare kundër Qeverisë së presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro, pas dëbimit të ambasadorit të Gjermanisë nga ky shtet.

Komentet e tij për një revistë gjermane kanë shënuar përplasjet e fundit për situatën në Venezuelë, pasi kombet perëndimore njohin legjitimitetin e Guaidos si president i përkohshëm i këtij vendi, derisa Maduro ka përkrahjen e Kinës dhe Rusisë.

“Shpresoj se Evropa do të reagojë ashpër për këtë kërcënim serioz kundër një ambasadori”, ka thënë Guaido.

“Përveç tjerash, ata duhet të ashpërsojnë sanksionet ndaj këtij regjimi”.

Karakasi e ka shpallur të mërkurën ambasadorin gjerman në Venezuelë, Daniel Kriener si “person të padëshiruar”.

Gjermania është vetëm një nga shumë kombet që kanë përkrahur Guaidon që të krijojë një qeveri të përkohshme para mbajtjes eventuale të zgjedhjeve kombëtare.

Ai mohon pushtetin e Maduros dhe rizgjedhjen e tij, derisa ky i fundit pretendon se është viktimë e një tentimi të Shteteve të Bashkuara për të “pushtuar” Venezuelën.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka thënë të mërkurën se partnerët do të vazhdojnë të përkrahin Guaidon.

Ai ka njoftuar të enjten se ambasadori do të kthehet në Gjermani për konsultime, mirëpo pozicioni i Berlinit nuk do të ndryshojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat