Studentët reagojnë ndaj skandalit mbi pranimet në universitete

Amerika

Studentët reagojnë ndaj skandalit mbi pranimet në universitete

Më: 14 mars 2019 Në ora: 18:54
Los Angeles

Studentët në universitetet më të njohura amerikane po reflektojnë mbi skandalin që ka plasur lidhur me manipulimet në pranimin e aplikantëve. Të martën, prokurorët federalë ngritën padi ndaj 50 individëve, ndër ta trajnerë të ekipeve sportive, administratorë të provimeve të pranimit, prindër, ndër të cilët edhe dy aktore të Hollivudit, në procesin më të gjerë hetimor mbi manipulime e mashtrime për pranimet në universitete. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan na sjell mendimet e studentëve nga mjediset e Universitetit të Kalifornisë së Jugut:

Universiteti i Kalifornisë së Jugut, USC, është një ndër institucionet ku ka operuar skema e mashtrimeve. Prokurorët thonë se prindër të pasur paguanin konsulentë privatë, të cilët vepronin si ndërmjetës duke u dhënë para nën dorë administratorëve e trajnerëve, në mënyrë që fëmijët e tyre të pranoheshin si sportistë.

Një student nga Hong Kongu thotë se nëse vërtetohen akuzat, do të dëshmohet se nga këto mashtrime janë dëmtuar studentë të tjerë:

Nathan Lau është student në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.

“Ndoshta një aplikant ka studiuar fort, por dikush tjetër paguan para dhe ia zë vendin në universitet. Kjo është e padrejtë ndaj studentëve që nuk u pranuan në universitet”.

Këto mashtrime nuk dëmtojnë vetëm studentët, thotë Christian Vandenberg, student i drejtësisë:

“Ia vlen t’i harxhosh paratë për kurse përgatitore që të arrish të pranohesh, se sa të harxhosh për mashtrime. Si u thotë mendja se nuk do t’i kapin? Sot çdo gjë që bën lë gjurmë”.

Skandali shtrihet nga universitetet e vjetra të pjesës lindore të vendit e deri në Teksas e Kaliforni:

“Disa shokë të mi e ndjenë për krenari që studiojnë në një universitet ku njerëzit shtyhen të mashtrojnë që të vijnë këtu,” thotë Christian Vandenberg.

Ndër prindërit nën akuza janë edhe dy aktore: Lori Loughlin dhe Felicity Huffman.

Juristja kineze Zili Zou e cila po studion ligjin për industrinë e argëtimit, ka mbetur e impresionuar nga reagimi i shpejtë i presidentit të Universitetit të Kalifornisë së Jugut, i cili tha se një ndër viktimat e mashtrimit ishte vetë universiteti. Por ajo shton se fakti që një trajner i vetëm mundëson regjistrimin e një studenti që nuk e meriton tregon se duhen forcuar masat e kontrollit.

Zili Zou, është studente në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.

“Është gabim të mbështetesh vetëm tek një person. E bën shumë të lehtë që të zgjidhen punët me rryshfete”.

Studenti Natha Lau thotë se standardet në universitetet amerikane janë përgjithësisht të drejta, por ka edhe të çara që lejojnë korrupsion:

“Ndoshta jo vetëm këtu, por edhe në vende të tjera. Jam ende i shokuar pasi ishte skandal i madh”. Studentët thonë se një skandal i tillë demoralizon studentët dhe dëmton imazhin e universiteteve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat