Fokusi i Presidentit Trump tek industria e manifakturës - Bota Sot
Fokusi i Presidentit Trump tek industria e manifakturës

Amerika

Fokusi i Presidentit Trump tek industria e manifakturës

Më: 21 mars 2019 Në ora: 17:47
Presidenti Donald Trump

Dje, në shtetin e Ohajos, Presidenti Donald Trump vuri në qendër të vëmendjes industrinë amerikane të manifakturës. Kjo është një pjesë e rëndësishme e strategjisë së tij për rizgjedhjen në vitin 2020, por e cila po dëmtohet nga mbyllja e një uzine të madhe të kompanisë së makinave General Motors. Fokusi i Presidentit Trump tek manifaktura u përshëndet nga baza e tij. Por, a po e ndihmon kjo realisht industrinë?

Presidenti Donald Trump po e rikthen fokusin tek ajo çfarë ai e konsideron suksesin e tij – rigjallërimin e industrisë amerikane të manifakturës.

“Duhet të më doni. E mbajta këtë vend të hapur. Thanë se do ta mbyllnin dhe u thashë ‘jo, nuk do ta mbyllni’. Dhe tani biznesi juaj po thyen rekord”, tha Presidenti Trump në Ohajo.

Në këtë shtet me rëndësi jetësore politike, Presidenti Trump vizitoi një fabrikë ushtarake që prodhon tanke dhe mjete ushtarake, duke e vënë theksin tek përpjekjet e tij për rritjen e buxhetit amerikan të mbrojtjes dhe nxitjes së manifakturës në vend.

Por, Presidenti nuk arriti të rikthente vendet e punës të humbura nga mbyllja e fabrikës në Lordstown të kompanisë General Motors. Ai fajësoi kompaninë.

“Ç’po ndodh me General Motors? Rihapeni fabrikën ose shitjani të tjerëve dhe do ta rihapin. Të gjithë e dëshirojnë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti fajësoi edhe sindikatën e punëtorëve të kompanisë.

“Veprimet e tij për të goditur kompanitë General Motors, Ford apo Chrysler, nuk e ndihmojnë ekonominë. Ato ndihmohen nga politika më të gjera, si taksat, buxheti dhe politikat rregullatore”, thotë Claude Barfield, i Institutit Amerikan të Sipërmarrjes.

Fokusimi i Presidentit Trump tek manifaktura mund të fitojë vërtet mbështetjen e bazës së tij të klasës punëtore, por analistët janë skeptikë për efektet financiare në një ekonomi të globalizuar. Për shembull, tarifat ndaj çelikut me synimin për të ndihmuar industrinë mund të sjellin efekte të kundërta.

“Industria e çelikut mbështet jashtëzakonisht tek kapitali. Kompanitë po prodhojnë gjithnjë e më shumë për të fituar më shumë, por ato nuk kanë rritur punësimin. Çeliku gjithashtu përdoret për prodhimin e automobilëve dhe në ndërtim. Pra, po humbasim vende pune për shkak të tarifave ndaj çelikut dhe tani po flitet për tarifa ndaj automjeteve. Të gjitha këto i ulin vendet e punës. Nuk i rrisin”, thotë David Dollar, i Institutit Brookings.

Presidenti Trump fitoi në Ohajo me një avantazh prej 8% në vitin 2016. Shteti në fjalë do të jetë sërish një pjesë kryesore e betejës elektorale në vitin 2020./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...