Çfarë thuhet në raportin e Muellerit dhe çfarë nënkupton ai për Trumpin

Amerika

Çfarë thuhet në raportin e Muellerit dhe çfarë nënkupton ai për Trumpin

Më: 23 mars 2019 Në ora: 08:32
Rober Mueller

Ndonëse hetuesi special, Rober Mueller, e ka dorëzuar raportin te prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr, ende nuk dihet se cila është përmbajtja e tij. Prokurori e ka informuar Kongresin se e ka pranuar raportin, por nuk janë dhënë hollësi të tjera.

Sipas rregullores për hetuesit special, Mueller është dashur ta informojë prokurorin e përgjithshëm Barr për personin që ka vendosur ta akuzojë dhe për arsyet e këtyre akuzave. Sidoqoftë, është e mundur që ai të ketë shtuar hollësi të tjera për gjetjet e hetimeve. Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë ka thënë që raporti është gjithëpërfshirës.

Prokurori Barr ka bërë të ditur të premten se nuk ka pasur veprime që janë propozuar për t’u ndërmarrë nga hetuesi Mueller e që janë hedhur poshtë nga prokuroria amerikane. Kjo do të thotë që Muelleri ka arritur t’i përfundojë hetimet pa ndërhyrje nga administrata e presidentit Trump.

Çfarë do të thotë ky raport për Trumpin?

Besohet që në këtë raport do të zbulohet se a ka pasur ndonjë lidhje mes fushatës presidenciale të Trumpit dhe agjentëve rusë që kanë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.

Presidenti amerikan vazhdimisht ka mohuar se ekziston një ndërlidhje e tillë dhe asnjë qytetar i SHBA-së nuk është akuzar ende për një gjë të tillë. Sidoqoftë, Mueller e ka akuzuar ish-shefin e fushatës së Trumpit për shpërndarje të të dhënave zgjedhore tek organet e inteligjencës ruse.

Në këtë raport mund të thuhet edhe nëse ka pasur ndërhyrje nga presidenti Trump për ta penguar punën e sistemit të drejtësisë përmes shkarkimit të ish-drejtorit të FBI-së, James Comey.

Ende nuk është e qartë se cila pjesë e raportit do t’i jepet Kongresit apo cila pjesë do të jetë e qasshme për publikun. Hetuesit Mueller i janë nevojitur 650 ditë për ta përfunduar këtë raport dhe deri në dhjetor të vitit të kaluar për të janë shpenzuar 27 milionë dollarë, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat