Ligjvënësit në SHBA në pritje të detajeve nga raporti i Mueller

Amerika

Ligjvënësit në SHBA në pritje të detajeve nga raporti i Mueller

Më: 24 mars 2019 Në ora: 16:43
Kreut i Departamentit të Drejtësisë, prokuror i përgjithshëm, William Barr.

Ligjvënësit në Shtetet e Bashkuara, presin që të dielën të njoftohen me detajet e raportit konfidencial të hetimit të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016, që kishte ngritur pyetje rreth lidhshmërisë së fushatës zgjedhore së Republikanëve me Moskën.

Më 22 mars, këshilltari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Robert Mueller, nënshkroi raportin përfundimtar të hetimit pothuajse dyvjeçar dhe ia dorëzoi atë kreut të Departamentit të Drejtësisë, prokurorit të përgjithshëm, William Barr.

Barr pritet që të ofrojë për Kongresin dhe publikun një përmbledhje të raportit të shumëpritur të Mueller, pasi raportohet se ka kaluar nëntë orë të shtunën për të studiuar raportin dhe ka bërë të ditur se detajet mund të shpalosen në fundjavë.

Sipas disa sinjaleve, raporton Reuters, në raport mund të mos jenë të përfshira akuza kriminale kundër bashkëpunëtorëve të Trumpit në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale më 2016.

Mueller kishte shpalosur akuza ndaj 34 personave dhe tri kompanive gjatë hetimit të tij. Paul Manafort, udhëheqësi fushatës së Trump dhe avokati personal, Michael Cohen, ishin shpallur fajtor nga gjykata dhe u dënuan me burg.

Gjetjet e raportit të Mueller, pritet të luajnë një rol të madh në përcaktimin e fatit të dy viteve të ardhshme të administratës së presidentit Trump, por edhe nëse ai do të garojë për rizgjedhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat