Trump kërkon largimin e trupave ruse nga Venezuela

Amerika

Trump kërkon largimin e trupave ruse nga Venezuela

Më: 27 mars 2019 Në ora: 18:10
Presidenti amerikan, Donald Trump me gruan e liderit opozitar të Venezuelës, Fabiana Rosales

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga Venezuela dhe ka paralajmëruar se “të gjitha mundësitë” janë të hapura për të arritur një gjë të tillë.

“Rusia duhet të largohet”, u ka thënë Trump gazetarëve më 27 shkurt në Shtëpinë e Bardhë, teksa ka qenë në takim me Fabiana Rosales, gruan e liderit opozitar të Venezuelës, Juan Guaido.

Guaido e ka shpallur veten president të përkohshëm të Venezuelës dhe legjitimiteti i tij është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe 50 shtete tjera.

Dy aeroplanë ushtarakë rusë kanë arritur në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas më 23 mars, bashkë më 100 ushtarë rusë.

Qeveria amerikane beson se në mesin e këtyre trupave gjenden edhe forcat speciale dhe ekspertë të sigurisë kibernetike.

I pyetur se si do t’i detyrojë trupat ruse që të largohen, Trump ka thënë: “Do të shohim. Të gjitha opsionet janë të hapura”.

Trump dhe nën-presidenti amerikan, Mike Pence janë takuar me gruan e Guadios, Fabiana Rosales për të treguar mbështetje për burrin e saj.

“Shtetet e Bashkuara e shohin arritjen e aeroplanëve ushtarakë rusë këtë vikend, si provokim të padëshiruar”, u ka thënë Pence gazetarëve.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të largojë mbështetjen për regjimin e Maduros dhe të përkrahë Juan Guaidon”, ka thënë ndër të tjera Pence.

Rusia ndër vite ka bërë investime miliardëshe në Venezuelë dhe ka mbetur aleate e palëkundur e Maduros.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat