Kandidatët demokratë për president vënë në shënjestër Presidentin Trump

Amerika

Kandidatët demokratë për president vënë në shënjestër Presidentin Trump

Më: 4 prill 2019 Në ora: 16:59
Kamala Harris

Pas dhjetë muajsh votuesit amerikanë do të fillojnë procesin e zgjedhjes së kandidatit presidencial në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate që fillojnë në shkurt të vitit 2020. Por tashmë pesëmbëdhjetë demokratë ose më shumë janë duke bërë fushatë në mënyrë agresive për të qenë kandidati që do të përballet me Presidentin Donald Trump vitin e ardhshëm. Grupi i kandidatëve të Partisë Demokrate për zgjedhjet e vitit 2020 është i larmishëm, mes tyre ka gra, burrave, anëtarë të pakicave dhe kandidatë me nivele të ndryshme përvoje politike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjellë hollësi.

Kandidatët presidencialë demokratë, përfshirë senatoren e Masaçusetsit, Elizabeth Warren, kohët e fundit po bëjnë fushatë edhe për marrjen e mbështetjes së sindikatave dhe grupeve të aktivistëve liberalë.

"Administrata e Presientit Trump është një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe ne duhet të flasim për këtë!"

Senatorja Warren është një nga disa gratë kandidate që nuk hezitojnë ta kritikojnë Presidentin Donald Trump.

Edhe kandidatja tjetër demokrate, senatorja e Minesotës Amy Klobuchar ka mjaft kritika ndaj Presidentit Trump.

"Ai mendon se urrejtja e organizuar është më e fuqishme se dashuria e paorganizuar. Ndoshta ka të drejtë. Por si mund t'i përgjigjemi kësaj? Ne duhet të organizohemi. Të organizohemi dhe të fitojmë."

Në garë për zgjedhjet e vitit 2020 kanë hyrë disa kandidatë të pakicave, përfshirë Senatoren e Kalifornisë, Kamala Harris, ish-sekretarin e Departamentit të Zhvillimit Urban, Julian Castro dhe senatorin e Nju Xhërsit, Cory Booker.

"Këto zgjedhje nuk do të jenë thjesht vetëm për zëvendësimin e presidentit aktual. Ky do të jetë fillimi i një epoke tjetër të Amerikës, ku ëndrrat nuk janë vetëm fjalë apo këngë, por një realitet për të gjithë", thotë senatori Booker.

Një figurë e njohur nga fushata e vitit 2016 është senatori i Vermontit Bernie Sanders.

Zoti Sanders përsëri po bën premtime të guximshme për kujdesin shëndetësor, arsimin unversitar falas dhe për drejtësi ekonomike.

"Ju premtoj se nëse zgjidhem, unë do të udhëtoj në të gjithë vendin, si pjesë e një lëvizjeje politike të qytetarëve".

Senatori Sanders është i dyti në sondazhe, pas ish-nënpresidentit Joe Biden.

Zoti Biden pritet që së shpejti të hyjë në garë, por është objekt i kritikave nga disa gra rreth kontakteve fizike të padëshiruara.

Mund të jetë ende herët, por aktivistët demokratë tashmë po analizojnë kandidatët, thotë analisti Bill Sweeney.

"Votuesit demokratë në thelb po intervistojnë kandidatë në dy tema. E para dhe më e rëndësishmja është vizioni i tyre i politikave për Shtetet e Bashkuara në vitet në vijim. Dhe së dyti, a janë ata kandidati që do të mposhtë Presidentin Trump në zgjedhjet e vitit 2020?"

Sondazhet e fundit tregojnë se disa demokratë më pak të njohur po fitojnë përkrahje, duke përfshirë ish kongresmenin e Teksasit Beto O'Rourke, senatoren Kamala Harris dhe kryebashkiakun e South Bendit në Indiana, Pete Buttigieg.

Votuesit demokratë do të duhet të bëjnë një numër zgjedhjesh, thotë eksperti Matt Dallek.

"Votuesit demokratë duhet të vendosin nëse duan dikë që nuk do të jetë centrist si Bill Klintoni, dikë që nuk do të jetë i rezervuar si ish-presidenti Obama, apo dikë që vërtetë do të trajtojë barazinë e të ardhurave si çështje qendrore".

Nga ana e tij, Presidenti Trump thotë se mezi pret të fillojë betejën me këdo që demokratët emërojnë vitin e ardhshëm. "Mund ta humbasim vendin. Kjo mund të ndodhë vërtetë sepse këta njerëz janë të çmendur". Konkurentët demokratë tashmë po përgatiten për debatet politike që pritet të fillojnë në qershor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat