Samiti i NATO-s në Washington, kërcënimi rus në krye të agjendës

Amerika

Samiti i NATO-s në Washington, kërcënimi rus në krye të agjendës

Më: 5 prill 2019 Në ora: 00:28
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg

Nga Washingtoni, ku janë mbledhur për të kremtuar 701-vjetorin e themelimit të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Jens Stoltenberg po i mëshon fort kërcënimit që vjen nga Rusia.

Një ditë më parë, para kongresit, ai tha se pavarësisht kërcënimit rus, në Evropë nuk do të vendoset një bazë raketash tokësore bërthamore ndërsa sot, i shtriu dorën edhe një herë Moskës, duke thënë se ka ende mundësi për t’u rikthyer në binarë.

Por, sipas tij, anëtarët e NATO-s po fillojnë të përgatiten për një botë pa marrëveshjen INF mes SHBA-ve dhe Rusisë, që ndalonte përhapjen e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi.

“Është ende e mundur që Rusia t’i rikthehet marrëveshjes, sepse periudha e përfundimit të procesit të tërheqjes zgjat deri në gusht. Ndaj ne i bëjmë thirrje Rusisë të kthehet sepse marrëveshja INF ka qenë shumë e rëndësishme për sigurinë evropiane”, tha kreu i NATO-s.

Stoltenberg, sidoqoftë, nënvizon se dislokimi i raketave SSC-8 prej disa vitesh nga ana e Moskës, është një shqetësim i madh.

“Është shumë shqetësues fakti që Rusia prej disa vitesh ka dislokuar raketat e reja SSC-8. Është një raketë në të cilën mund të ngarkohen testata bërthamore, e lëvizshme, e vështirë për t’u dalluar dhe mund të arrijë qytetet evropiane e të rrisë rrezikun e përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore në një konflikt të armatosur”, tha Stoltenberg.

Sipas shefit të NATO-s, një marrëveshje që respektohet vetëm nga një palë, nuk mund të na garantojë sigurinë. Ndërkohë Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se NATO duhet të jetë më e adaptueshme në mënyrë që të përballet me kërcënimet që ekzistojnë aktualisht në botë, siç janë agresioni në rritje i Rusisë, konkurrenca strategjike e Kinës, migrimi i pakontrolluar, sulmet kibernetike etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat