Raporti Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhje, gati për publikim

Amerika

Raporti Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhje, gati për publikim

Më: 18 prill 2019 Në ora: 14:26
Donald Trump

Një nga ngjarjet mbizotëruese në presidencën dyvjeçare të Donald Trump-it kalon në një fazë të re të enjten me publikimin e raportit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller lidhur me akuzat për bashkëpunim të fshehtë dhe pengim të drejtësisë.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr pritet të komentojë lidhur me raportin e zotit Mueller në një konferencë për shtyp ndërsa kopjet e raportit do të dërgohen pak më vonë në Kongres e pastaj do të publikohen në internet.

Kongresi dhe populli amerikan do të shohin për herë të parë në hollësi faktet që zoti Mueller shqyrtoi pasi ai dhe ekipi i tij i hetuesve federalë punuan për të përcaktuar nëse fushata e zotit Trump ose bashkëpunëtorët e tij bashkëpunuan fshehurazi me Rusinë në përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që e sollën presidentin Trump në pushtet.

Agjencitë amerikane të zbulimit në fillim të vitit 2017 vlerësuan se Rusia, nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin, zhvilloi një fushatë për të minuar zgjedhjet dhe kishte një preferencë të qartë që zoti Trump të fitonte.

Image

Raporti i redaktuar

Njerëz që e kanë parë raportin prej 400-faqësh të zotit Mueller, të cilët folën me gazetat The Washington Post dhe The New York Times, thanë se dokumenti që do të publikohet të enjten do të jetë i reduktuar por do të hyjë në hollësi të detajeve për akuzat e ndryshme në se zoti Trump pengoi hetimin federal në lidhje me aktivitetet e Rusisë gjatë zgjedhjeve.

Kryeprokurori Barr ka publikuar një letër të shkurtër me përmbledhjen e tij të gjetjeve të zotit Mueller, ku theksohet se fushata Trump nuk bashkëpunoi me Rusinë dhe se sipas mendimit të zotit Barr informacionet nga zoti Mueller nuk treguan mjaftueshëm mbështetje për akuzat se presidenti pengoi drejtësinë.

Image

Raporti i zotit Mueller do të ishte shqyrtuar me hollësi edhe pa letrën e kryeprokurorit Barr, por shumë njerëz do ta analizojnë atë për të parë se si qëndrojnë konkluzionet e tij kur krahasohen me informacionin më të plotë që do të jetë në dispozicion të publikut.

Demokratët e Kongresit pritet të përdorin kompetancat e tyre për të kërkuar raportin e plotë. Kryetari i Komisionit të Drejtësisë Jerrold Nadler tha të mërkurën se duke supozuar se raporti është redaktuar shumë, komisioni i tij "me siguri" do të lëshojë thirrjen për të parë raportin e plotë "shumë shpejt".

Image

Kryeprokurori Barr do të shoqërohet në konferencën e tij të shtypit nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili për pjesën më të madhe të hetimit të zotit Mueller ishte personi që mbikqyrte hetimin në Departamentin e Drejtësisë. Askush nga ekipi i zotit Mueller nuk do të marrë pjesë në konferencë.

Presidenti Trump tha të mërkurën se po shikonte mundësinë për të mbajtur një konferencë shtypi të enjten. Duke folur në për stacionin radiofonik WMAL, zoti Trump tha: "Do të shihni se shumë gjëra shumë të forta do të dalin nesër. Prokurori i Përgjithshëm Barr do të japë një konferencë për shtyp. Ndoshta unë do të bëj të njëjtën gjë pas kësaj; do ta shohim."/Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat