SHBA zhgënjehet pas anulimit të bisedimeve në Doha për Afganistanin

Amerika

SHBA zhgënjehet pas anulimit të bisedimeve në Doha për Afganistanin

Më: 22 prill 2019 Në ora: 12:14
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka telefonuar presidentin afgan, Ashraf Ghani që të shprehë zhgënjimin e tij për shtyrjen e bisedimeve me talibanët dhe ka dënuar njoftimin e fundit të grupit kryengritës për fillim të “ofensivës pranverore”.

Rreth 250 politikanë afganë dhe figura të shoqërisë civile ishte planifikuar që të takoheshin me negociatorët talibanë në Doha më 19 prill për të diskutuar situatën në Afganistan.

Nëse do të realizohej, ky takim do të shënonte takimin e parë të talibanëve me Qeverinë e Kabulit në tavolinën e negociatave.

Mirëpo takimet janë anuluar papritur më 18 prill, pas mosmarrëveshjeve rreth numrit dhe përbërjes së delegacionit afgan.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë përmes një deklarate se Pompeo e ka telefonuar Ghanin më 21 prill për të dënuar njoftimin e talibanëve për nisjen e ofensivës së re në pranverë.

Pompeo po ashtu ka thënë se bisedimet përbëjnë një mundësi të mirë për të avancuar në procesin e paqes.

“Sekretari ka inkurajuar të gjitha palët që të shfrytëzojnë këtë moment për të arritur pajtueshmëri mes pjesëmarrësve, në mënyrë që dialogu afgan të realizohet në Doha sa më shpejt që është e mundur”, është thënë në deklaratën e DASH-it.

Shtetet e Bashkuara kanë realizuar negociata të ndara për paqen me talibanë në Doha, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në këtë shtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat