Trump triumfon, rritet ekonomia

Amerika

Trump triumfon, rritet ekonomia

Më: 27 prill 2019 Në ora: 17:15
Donald Trump

Ekonomia amerikane i ka kapërcyer parashikimet e analistëve në vend duke u rritur me plot 3.2 për qind në tre muajt e parë të vitit.

Shifrat paraprake të Ministrisë së Tregtisë tregojnë se eksportet e larta dhe investimet publike arritën t'i sigurojnë vendit një rritje me plus 1 për qind krahasuar me tremujorin e kaluar, duke thyer rekordin edhe ekonomik të katër viteve më parë.

Ndërkaq, u ngadalësuan ndjeshëm shpenzimet e konsumatorëve, të kompanive private dhe investimet në sektorin e ndërtimtarisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili shpreson te klima e mirë ekonomike për t'i rritur shanset e rikonfirmimit në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, i quajti rezultatet të jashtëzakonshme.

"Shumë njerëz mendonin se do të rriteshim më pak se 2 për qind, por tani jemi 3,2 për qind. Çmimet e karburanteve po bien, ekonomia jonë po rritet fort, dhe kemi një inflacion shumë, shumë të ulët. Jemi ekonomia numër 1 në botë dhe nuk kemi rival të afërt. Faleminderit shumë!"

Rritja ekonomike e SHBA-së ka qenë një nga themelet e fushatës elektorale të presidentit Trump, i cili ka premtuar se do i shërbejë klasës punëtore amerikane përmes krijimit të vendeve të punës dhe pagave më të larta.

Ndërsa në horizontin ekonomik nuk pritet recesion në muajt e ardhshëm, ekspertët kërkojnë të tregohet kujdes për barrën fiskale të krijuar nga stimuli prej 1.5 trilionë dollarësh që administrata amerikane miratoi dy vite më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat