Pompeo, bisedime me homologun rus për Venezuelën

Amerika

Pompeo, bisedime me homologun rus për Venezuelën

Më: 1 maj 2019 Në ora: 16:39
Juan Guaido

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo pritet të bisedojë sot me homologun e tij rus në klimën e tensioneve që kanë përfshirë Venezuelën.

Ndërkohë, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton thotë se presidenti i përkohshëm i Venezuelës Juan Guaido ka nevojë për mbështetjen e figurave kyçe që mund kenë ndikim mbi forcat ushtarake të vendit. Ai tha se administrata e Presidentit Trump po vëzhgon me kujdes zhvillimet në Venezuelë dhe se “të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Guaido po bën thirrje për një kryengritje për të detyruar Nicolas Maduron të heqë dorë nga pushteti, pas zgjedhjeve të manipuluara vitin e kaluar.

Opozita e Venezuelës ka organizuar protesta masive në kryeqytetin e vendit, Karakas, ku po kërkon dorëheqjen e Maduros. Zoti Bolton u tha gazetarëve të martën se e ardhmja e Venezuelës do të përcaktohet në ditët e ardhshme:

“Nëse kjo përpjekje dështon, ata do të bien në një diktaturë nga e cila ka shumë pak alternativa të mundshme. Është një moment shumë delikat”.

Këshilltari i sigurisë kombëtare tha se një tranzicion paqësor është i mundur me ndihmën e disa prej zyrtarëve kryesorë të Venezuelës:

“Zyrtarë të lartë si Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino, Kryetari i Gjykatës Supreme, Maikel Moreno, komandanti i rojes presidenciale, Rafael Hernandez Dala, duhet të jenë në gjendje të veprojnë këtë pasdite për të ndihmuar në sjelljen e forcave të tjera ushtarake në anën e presidentit të përkohshëm.”

Zoti Bolton tha se Venezuela kontrollohet nga një regjim ushtarak, i cili mbështetet nga Kuba dhe ndoshta Rusia. Ai tha se forcat e Maduros po vazhdojnë ta mbështesin atë nga frika:

“Mendoj se është frika e 20 deri 25,000 forcave të sigurisë kubane në vend. Mendoj se është frika nga pasojat nëse ata vendosin të respektojnë mandatin kushtetues të presidentit të përkohshëm”.

Guaido, ish-kreu i asamblesë kombëtare të Venezuelës, bëri betimin si president i përkohshëm në janar. Më shumë se 50 vende e kanë njohur atë si president të përkohshëm, por Maduro ende ka mbështetjen e Kinës, Kubës, Rusisë, Iranit dhe Turqisë. Trazirat kanë shkaktuar një krizë humanitare në vendin e varfër.

Qeveria e Maduros ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për nxitjen e trazirave në Venezuelë.

“Ne nuk kemi frikë nga populli ynë. Ne jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë me këtë superfuqi që vepron lirshëm në mbarë botën, duke shkaktuar dëme të mëdha. Dhe ata po përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë edhe në Venezuelë”, tha Samuel Moncada, Ambasador i Venezuelës në OKB.

Zoti Bolton nuk pranoi të diskutonte planet e Shteteve të Bashkuara për Venezuelën, por tha se administrata e Presidentit Trump është e gatshme të fillojë përpjekjet për të ndihmuar ekonominë e vendit sapo zoti Guaido të marrë pushtetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat