Presidenti i Brazilit anulon vizitën në Shtetet e Bashkuara

Amerika

Presidenti i Brazilit anulon vizitën në Shtetet e Bashkuara

Më: 4 maj 2019 Në ora: 17:54
Jair Bolsonaro

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, e ka anuluar papritmas vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur pritej ta pranonte një çmim prestigjioz. Besohet se anulimi i vizitës ka ardhur si pasojë e reagimeve të shumta ndërkombëtare për qëndrimet homofobike dhe raciste të tij.

Anulimi i vizitës erdhi pasi kryetari i Nju Jorkut reagoi kundër ardhjes së tij dhe shumë korporata u tërhoqën nga përkrahja financiare e këtij organizimi. Zëdhënësi i Bolsonaros i fajësoi sulmet ideologjike nga grupet e interesit dhe kryetarin e Nju Jorkut, Bill de Blasio, për anulimin e vizitës së presidentit brazilian.

Ky anulim është goditje e rëndë për Bolsonaron, i cili i idealizon Shtetet e Bashkuara dhe i cili ishte pritur me nderime të larta nga presidenti Trump në mars të këtij viti në Uashington. Analistët thonë se anulimi është rezultat i reagimit ndërkombëtar ndaj qëndrimeve ekstreme të presidentit dhe politikave të dëmshme për mjedisin.

“Ky është një turp i madh”, tha Paulo Baia, profesor i shkencave politike në Universitetin Federal të Rio de Janeiros.

Ceremonia për zgjedhjen e Personit të Vitit ishte planifikuar të mbahej më 14 maj dhe ishte organizuar nga Oda Braziliano-amerikane e Tregtisë. Presidenti brazilian pritej të nderohej së bashku me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, për forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe tregtare mes SHBA-së dhe Brazilit, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat