SHBA-ja i kërkon K.Veriore të lirojë të burgosurit politikë

Amerika

SHBA-ja i kërkon K.Veriore të lirojë të burgosurit politikë

Më: 9 maj 2019 Në ora: 18:08
Flamuri i Koresë Veriore.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Koresë Veriore të enjten që të shkatërrojë kampet ku besohet se janë duke qëndruar dhjetëra mijëra të burgosur politikë, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong Un janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar, dhe një herë në muajin shkurt të 2019-ës, mirëpo pavarësisht kërkesës së Uashingtonit për denukearizim të Gashishullit Korean, në këmbim të lirimit nga sanksionet, ende nuk është arritur ndonjë rezultat.

“Gjendja e të drejtave të njeriut në Korenë Veriore është e tmerrshme dhe nuk krahasohet me asnjë vend modern të botës”, ka thënë diplomati i lartë amerikan, Mark Cassayre para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Hetuesit e OKB-së për të drejta të njeriut kanë vlerësuar se nga 80,000 deri më 120,000 persona janë aktualisht në kampe të ndalimit në Korenë Veriore, ku tortura dhe abuzimet tjera, sipas hulumtuesve janë të barabarta me krimet kundër njerëzimit.

Përveç thirrjeve për mbyllje të këtyre kampeve, Cassayre u ka kërkuar autoriteteve që të ofrojnë qasje për punëtorët e ndihmave.

Mirëpo Koreja Veriore, e cila është kritikuar ashpër edhe nga Britania dhe Kanadaja ka mohuar të enjten ekzistencën të burgosurve politikë, duke thënë se ky shtet është viktimë e propagandës.

“Të drejtat e njerëzve dhe liritë themelore janë plotësisht të garantura”, ka thënë ambasadori verikorean, Han Tae Song në forumin me 47 anëtarë.

Sipas tij, janë sanksionet amerikane ndaj këtij shteti që janë duke u ndaluar verikoreanëve “kënaqësitë e jetës”.

Përndryshe pavarësisht thirrjeve për denuklearizim, ushtria e Koresë Jugore ka thënë se Koreja Veriore dyshohet se ka testuar dy raketa, në më pak se një javë prej kur lideri verikorean, Kim Jong-Un ka vëzhguar testimin e një vargu raketash tjera.

Zyra e Koresë Jugore ka thënë më 9 maj se raketat janë lëshuar në mëngjesin e së enjtes, dhe ka mundësi të jenë raketa me rreze të shkurtër veprimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat