SHBA vendosin sanksione të reja ndaj Iranit - Bota Sot
SHBA vendosin sanksione të reja ndaj Iranit

Amerika

SHBA vendosin sanksione të reja ndaj Iranit

Më: 9 maj 2019 Në ora: 18:10
Mike Pompeo

Një vit pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, Uashingtoni vendosi sanksione të reja ndaj industrisë iraniane të metalit, ndërsa tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të shkallëzohen. Në Teheran të mërkurën, presidenti iranian Hassan Rouhani tha se vendi i tij do të pezullonte respektimin e disa kufizimeve të vendosura ndaj Iranit që janë pjesë e marrëveshjes bërthamore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.

Vetëm disa orë pasi Presidenti iranian njoftoi se nuk do të respektonte më disa pjesë të marrëveshjes bërthamore, Presidenti Donald Trump njoftoi sanksione të reja ndaj eksporteve të produkteve iraniane të hekurit, çelikut, aluminit dhe bakrit. Shkallëzimi i tensioneve vjen ndërkohë që një grup i luftanijeve amerikane po dislokohet në Lindjen e Mesme pasi zyrtarët amerikanë cituan një "kërcënim të besueshëm" nga Irani.

Duke folur në Londër, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo nuk i dha shumë rëndësi njoftimit iranian, duke thënë se ai ishte i paqartë.

"Ne do të duhet të presim dhe të shohim se çfarë veprime do të ndërmarrë Irani. Ata kanë bërë një numër deklaratash kërcënuese për të tërhequr vëmendjen e botës. Mbetet të shohim çfarë veprime konkrete do të ndërmarrin. Shtetet e Bashkuara do t’i vëzhgojnë veprimet e tyre".

Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt e quajti marrëveshjen bërthamore një arritje të rëndësishme dhe i bëri thirrje Teheranit që të mos e shkelë atë.

"U bëjmë thirrje iranianëve të mendohen mirë para se të heqin dorë nga marrëveshja. Shkelja e marrëveshjes nuk është në interesin e askujt, sigurisht as në interesin e tyre, sepse në momentin kur ata bëhen fuqi bërthamore, edhe fqinjët e tyre do të bëjnë të njejtën gjë".

Zyrtarët amerikanë thonë se udhëheqësit e Iranit janë të izoluar financiarisht dhe në një pozicion shumë më të dobët që kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore një vit më parë. Përfaqësuesi special për Iranin Brian Hook tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të negociojnë një marrëveshje të re me Iranin, nëse udhëheqësit e tij zgjedhin një kurs të ri.

"Nëse klerikët në Teheran vendosin, ashtu siç po kërkon populli iranian, të veprojnë sipas rregullave, të respektojnë sovranitetin e fqinjëve të tyre dhe të respektojnë detyrimet dhe angazhimet ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme për t'u angazhuar", thotë Brian Hook, Përfaqësues Special i SHBA-ve për Iranin.

Rusia fajësoi Shtetet e Bashkuara për vendosjen e Iranit në një situatë të vështirë dhe i bëri thirrje nënshkruesve evropianë të marrëveshjes bërthamore që të përmbushin detyrimet e tyre./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...