Ndikimi i tarifave tek prodhuesit e mjeteve bujqësore - Bota Sot
Ndikimi i tarifave tek prodhuesit e mjeteve bujqësore

Amerika

Ndikimi i tarifave tek prodhuesit e mjeteve bujqësore

Më: 11 maj 2019 Në ora: 22:49
Fermerët gjithashtu nuk po blejnë pajisje të reja bujqësore

Ndërsa fermerët në Shtetet e Bashkuara përgatiten për sezonin e mbjelljeve këtë vit, ata vazhdojnë të ndeshen me pasigurinë e krijuar nga tarifat e vazhdueshme ndaj eksporteve amerikane të grurit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh nga shteti Ajova, fermerët gjithashtu nuk po blejnë pajisje të reja bujqësore, çfarë ka shkaktuar një shqetësim në rritje për prodhuesit, të cilët përveç rënies së shitjeve po ndeshen edhe me rritjen e çmimeve të materialeve të nevojshme për ndërtimin e makinerive.

Pajisjet e tyre ikonike me ngjyrë blu janë të njohura në shumë ferma në mbarë vendin.

"Njihemi për mbjellëset dhe makinat e grurit", thotë Richard Dix nga kompania Kinze.

Produktet e kompanisë Kinze mund të shihen me lehtësi në qendrën e saj pranë autostradës 80 në Uilliamsburg të Ajovës. Në këtë qendër të rëndësishme prodhimi janë të punësuar 500 vetë.

"Çeliku është materiali më i rëndësishëm i kompanisë Kinze. Ne jemi një fabrikë që në thelb është një qendër saldimi. Ne merremi me prerjen, shkrirjen, lakimin, dhe ngjyrosjen e çelikut", thotë Richard Dix nga kompania Kinze.

Çeliku që tani kushton më shumë, si rezultat i një tarife prej 25 për qind ndaj këtij materiali të importuar nga shumica e vendeve.

"Vendosja e tarifës ndaj çelikut ndikon në procesin kyç të prodhimit të produkteve tona", thotë Richard Dix nga kompania Kinze.

Presidenti Donald Trump vendosi tarifat me qëllim të rritjes së prodhimit të çelikut në Shtetet e Bashkuara dhe punësimit të lidhur me këtë industri. Ndërsa kjo ka krijuar përfitime modeste për industrinë vendase të çelikut, zoti Dix thotë se rritja e kostos së çelikut ka ndikuar negativisht kompanitë si Kinze.

"Këto tarifa ndikojnë në strukturën tonë të kostos, përfitimet për familjen, punonjësit tanë, pastaj tek tregtarët dhe klientët tanë", thotë Richard Dix.

Konsumatorët janë kryesisht fermerë amerikanë që përdorin produktet e kompanisë Kinze për të mbjellë farat e sojës. Eksportet e sojës tani janë subjekt i tarifave hakmarrëse, të cilat kanë ulur çmimet dhe kanë kontribuar në një vit tjetër të uljes së të ardhurave të përgjithshme për fermerët në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë se shumë prej tyre kanë më pak gjasa të blejnë produktet që prodhon kompania Kinze.

Shqetësimet mbi këtë çështje, zoti Dix ia shpjegoi senatores republikane të Ajovës, Joni Ernst, e cila mori pjesë në një diskutim me fermerët e Ajovës, përfshirë, përfaqësuesit e kompanisë Kinze, mbi ndikimin e tarifave. Senatorja Ernst thotë se historitë personale që ka dëgjuar nga këto takime janë të rëndësishme për të ndihmuar Presidentin Trump që të kuptojë ndikimin që tarifat kanë tek votuesit e saj.

"Ai ka një stil të ndryshëm negocimi, kështu që ai dëshiron të fillojë me skenarin më të keq të mundshëm dhe të negociojë drejt një marrëveshjeje të mirë dhe të ndershme tregtare. Por, ndarja e këtyre historive është shumë e rëndësishme, dhe ato kanë një ndikim në këtë drejtim. Unë mendoj se Presidenti i dëgjon këto shqetësime", tha senatorja Earnst.

Por, zoti Dix thotë se tarifa e vendosur një vit më parë tashmë ka sjellur pasoja për operacionet e kompanisë Kinze.

"Ne nuk jemi kompani e madhe, kështu që mund të themi se ky ndikim ka qenë një ndikim shtatë shifror (miliona dollarësh) për ne vitin e kaluar. Dhe kjo është një sasi e konsiderueshme parash", thotë ai.

Një shumë që deri më tani nuk u është kaluar klientëve apo punonjësve. "Ne nuk kemi nxjerrë njeri nga puna për shkak të tarifës, por ne të gjithë po marrim masa shtrënguese", thotë Richard Dix nga kompania kineze./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...