Kandidatura e Pat Shanahan për postin e shefit të Pentagonit

Amerika

Kandidatura e Pat Shanahan për postin e shefit të Pentagonit

Më: 25 maj 2019 Në ora: 18:54
Pat Shanahan

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Pat Shanahan, është i zgjedhuri i Presidentit Trump për të drejtuar Pentagonin. Atij do t’i duhet të drejtojë këtë institucion të rëndësishëm mes shumë sfidave ushtarake gjatë javëve që vijnë. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës Carla Babb, zoti Shanahan fillimisht do të duhet të kalojë përmes procesit të vështirë të konfirmimit në Kongres.

Pas më shumë se katër muajsh pritjeje, ish-zëvendës sekretari i mbrojtjes tani është kandidat për postin e lartë civil në krye të Pentagonit. Ekspertët thonë se pritja e ka distancuar zotin Shanahan nga largimi tronditës i pararendësit të tij, gjeneralit në pension Jim Mattis, më 1 janar.

“Është e vështirë për të gjetur një biografi aq mbresëlënëse sa të Sekretarit Mattis. Do të jetë i vështirë procesi i zëvendësimit të tij për këdo. Por gjithashtu, nuk duhen nënvlerësuar ato që mund të mësohen gjatë dy viteve në postin e zëvendës sekretarit”, thotë Bradley Bowman, i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.

Zoti Shanahan nuk ka patur poste qeveritare para se të bëhej pjesë e Pentagonit dy vite më parë. Së fundi, inspektori i përgjithshëm e gjeti të pastër atë pas një hetimi nëse ai kishte promovuar padrejtësisht punëdhënësin e mëparshëm, kompaninë Boeing.

Ndërsa republikanët porthuajse i kanë të sigurta votat për konfirmimin e zotit Shanahan, demokratët kanë sinjalizuar se ai do të përballet me pyetje të vështira mbi mungesën e eksperiencës së tij në arenën botërore dhe nëse ai mund t’i rezistojë presionit të Presidentit Trump, veçanërisht pasi ai pranoi përdorimin nga presidenti të fondeve të Pentagonit për ndërtimin e murit kufitar.

“Ka patur shqetësim nëse zoti Shanahan do të jetë në gjendje që ta bëjë me dijeni presidentin kur mendon se një vendim është i drejtë apo i gabuar. Kjo është ajo që pritet gjatë konfirmimit”, thotë zoti Bowman.

Por, ky nuk është i vetmi problem. Buxheti i fundit nga Kongresi për ushtrinë ishte i fuqishëm dhe u miratua në kohë. Por, tani që Kongresi është i ndarë në vija politike, prirja e mëparshme nuk ka gjasa të vazhdojë.

'“Shanahan duhet të gjejë një mënyrë për të bashkërenduar ambicjen e tij të madhe që shihet me buxhetin e vitit 2020, me strategjinë afatgjatë të sigurisë kombëtare që duket se ka gjasa për burime shumë më modeste për mbrojtjen”, thotë Michael O’Hanlon, i Institutit Brookings.

Ndërsa shtohen tensionet me Iranin, zoti Shanahan do të jetë në qendër të debatit.

“Administrata e zotit Trump po e nxit çështjen e Iranit. Kjo mund të ketë përfundim të mirë ose një fund shumë të keq. Nga zoti Shanahan pres mendim të qetë, por të vendosur, rreth mënyrës se si duhet trajtuar kërcënimi iranian”, thotë zoti O’Hanlon.

Pentagoni ka shtuar praninë ushtarake në rajon për të kundërshtuar kërcënimet e mundshme iraniane. Udhëheqësit botërorë kanë bërë thirrje për përmbajtje ndërsa të dyja palët thonë se nuk duan luftë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat