Brazil, përleshjet mes të burgosurve shkaktojnë 15 të vdekur

Amerika

Brazil, përleshjet mes të burgosurve shkaktojnë 15 të vdekur

Më: 27 maj 2019 Në ora: 10:37
Foto

Përplasjet mes të burgosurve kanë shkaktuar 15 të vdekur në një burg të shtetit të Amazonës në veri të Brazilit gjatë së dielës.

Lajmi konfirmohet nga autoritetet rajonale të burgjeve, që thonë se përleshja nisi rreth orës 11 me atë lokale (17 të ditës së djeshme), gjatë orës së vizitave në mjediset e burgut të ndodhur rreth 28 km larg nga kryeqyteti Manaus i këtij shteti.

“Ishte një përleshje mes të burgosurish, por është hera e parë që shkaktohen viktima gjatë periudhës së vizitave. Nuk ka pasur kurrë më parë vdekje në të tilla raste”, tha koloneli Marcos Vinicius Almeida gjatë një konference për shtyp.

Disa prej të burgosurve u therën me furça dhëmbësh të mprehura në formë thike, ndërsa disa u mbytën, shtoi më tej Almeida teksa njoftonte se ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e këtij luftimi.

Ai u kujdes të theksonte se autoritetet ndërhynë brenda pak minutash ndaj dhunës së të dielës, duke parandaluar kështu një bilanc edhe më të rëndë viktimash.

I njëjti burg ka qenë në qendër të vëmendjes së një rebelimi të burgosurish që zgjati gati 20 orë, e që la pas 56 të vdekur gjatë janarit të vitit 2017.

Brazili ka “popullatën” e tretë më të madhe të të burgosurve në botë, me gati 726.712 të dënuar deri në qershor të vitit 2016, sipas statistikave zyrtare. Ky numër është gati sa dyfishi i kapaciteteve të burgjeve kombëtare, që në të njëjtin vit përllogaritej të mbanin rreth 368,049 të burgosur.

Përveç mbipopullimit, burgjet në Brazil janë pllakosur nga dhuna mes bandave rivale, ndërsa rebelimet dhe përpjekjet për arratisje nuk janë të pazakonta. Në shtator, persona të armatosur rëndë shpërthyen eksplozivë jashtë gardhit të një burgu në verilindje të Brazilit, e më tej qëlluan në drejtim të mjediseve duke vrarë një polic dhe duke liruar 92 të burgosur, gjysma e të cilëve u kapën sërish më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat