Shtetet e Bashkuara i vënë sanksione grupit më të madh të naftës në Iran

Amerika

Shtetet e Bashkuara i vënë sanksione grupit më të madh të naftës në Iran

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 09:30
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë goditur me sanksione ekonomike Kompaninë e Industrive Petrokimike të Gjirit Persik për shkak të lidhjes së saj me Rojet Revolucionare të Iranit. Lajmin e bëri të ditur Departamenti i Thesarit.

Sipas deklaratës së Departamentit të Thesarit, ky vendim ka për qëllim dëmtimin e financave të grupit më të madh dhe më fitimprurës të naftës dhe të 39 selive e agjentëve të huaj. Këtu përfshihet edhe një kompani britanike me bazë në Filipine.

“Ky veprim është paralajmërim që ne do të vazhdojmë t’i godasim kompanitë e sektorit të naftës që ofrojnë përkrahje financiare për Rojet Revolucionare të Iranit”, tha sekretari i thesarit, Steven Mnuchin, përmes një deklarate.

Departamenti i Thesarit njoftoi se kompania e goditur me sanksione prodhon 40 për qind të naftës së Iranit dhe është përgjegjëse për 50 për qind të naftës së eksportuar nga ky shtet. Ky institucion i paralajmëroi kompanitë ndërkombëtare që bashkëpunojnë me këtë kompani iraniane se do të jenë cak i sanksioneve, nëse vazhdojnë të bëjnë tregti me të.

Disa shtete e kanë ndërprerë importimin e naftës nga Irani, ndërsa Bashkimi Evropian është përpjekur ta ndërtojë një mekanizëm që mundëson vazhdimin e tregtisë me këtë shtet pa i shkelur sanksionet amerikane, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat