SHBA, mbështetje dypartike për luftën tregtare ndaj Kinës

Amerika

SHBA, mbështetje dypartike për luftën tregtare ndaj Kinës

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 18:23
Edhe në tubimet e tij më të fundit politike, Presidenti Trump foli për Kinën.

Këmbëngulja e Presidentit amerikan Donald Trump për t’u përballur me praktikat tregtare të Kinës ka fituar mbështetje dypartiake në Kongres, ndryshe nga nismat e tjera të mëdha që ka ndërmarrë administrata e tij. Ndërsa ligjvënësit e të dyja partive politike e vlerësojnë Presidentin Trump për qasjen e tij më "të ashpër" ndaj Pekinit, detajet e politikës së tij ndaj Kinës kanë ngjallur dyshime dhe rezistencë në kongres.

Kina ka qenë në mendjen e Presidentit Trump që nga fjalimi i tij i parë në Kongres.

"Ne kemi humbur 60,000 fabrika që kur Kina u anëtarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë".

Edhe në tubimet e tij më të fundit politike, Presidenti Trump foli për Kinën.

"Sapo nxorra njoftimin për rritjen e tarifave ndaj Kinës. Ne nuk do të tërhiqemi deri kur Kina t’i jap fund mashtrimit të punëtorëve tanë dhe vjedhjes së vendeve tona të punës".

Administratat e mëparshme kanë kritikuar praktikat tregtare kineze, nga manipulimi i monedhës deri te mbushja e tregut me çelik me kosto të ulët. Presidenti Trump është udhëheqësi i parë amerikan që po godet me forcë Pekinin, duke fituar mbështetje dypartiake në kongres.

"Ne nuk do të rrimë pa bërë gjë ndërkohë që idetë dhe teknologjitë tona vidhen. Ne nuk do të rrimë duarkryq ndërkohë që njerëzit tanë po humbasin vendet e punës për shkak të konkurrencës së pandershme", thotë senatori republikan James Risch.

"Duhet të bëjmë diçka për Kinën, ose Amerika nuk do të jetë më një fuqi e fortë ekonomike në 10 apo 15 vjet", thotë senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrate në senat.

"Unë jam dakord me Presidentin Trump në lidhje sfidën që Kina paraqet për Shtetet e Bashkuara", thotë senatori demokrat Robert Menendez.

Disa republikanë thonë se Presidenti Trump e detyroi e partinë e tyre që të merret me sfidat që paraqet Kina.

"Të them të drejtën, shumë anëtarë të partisë sime kanë qenë të butë ndaj Kinës për një kohë të gjatë, të përqendruar kryesisht në marrëdhëniet e biznesit që kemi me Kinën. Unë mendoj se kjo ka ndryshuar shumë në tre vitet e fundit", thotë senatori repoublikan Tom Cotton.

Megjithatë, vendosja e tarifave dhe fillimi i një lufte tregtare kanë alarmuar shumë republikanë.

"Një në pesë vende të punës në Ajova është e lidhur drejtpërdrejt me tregtinë", thotë senatorja republikane Joni Earnst.

"Vendosja e barrierave tregtare me tarifa dhe kuota nuk mund të jetë një zgjidhje afatgjatë", thotë senatori demokrat Chuck Grassley.

Demokratët, ndërkohë, thonë se Presidenti Trump ka humbur avantazhin ndaj Kinës, duke hapur luftë tregtare me aleatët e Shteteve të Bashkuara.

"Betejat për tarifa me Kanadanë, Meksikën, Evropën, Japoninë nuk kanë kuptim. Ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar [komuniteti ndërkombëtar] kundër Kinës, dhe unë mendoj se do të mund të arrijmë një zgjidhje shumë të mirë ", thotë senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrate në senat.

Republikanët duan një marrëveshje tregtare SHBA-Kinë sa më shpejt që të jetë e mundur.

"Në fund të fundit askush nuk fiton nga një luftë tregtare që nuk përfundon me një marrëveshje dhe me heqjen e tarifave. Shpresojmë se këto taktika (të administratës së Presidentit Trump) do të na çojnë në këtë pikë", thotë Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës republikane në senat.

Demokratët kanë frikë se mund të arrihet një marrëveshje jo e mirë.

"Presidenti e ka bërë zakon të dali përpara kamerave televizive, për të njoftuar marrëveshje të reja tregtare, për të krijuar tituj interesant lajmesh. Por këto njoftime kanë qenë vazhdimisht të zbrazëta dhe me rezultate të vogla", thotë senatori demokrat Ron Wyden.

Presidenti Trump mbetet i angazhuar për një strategji tregtare që mbështetet në tarifat, duke i quajtur ato një mjet të madh negociues dhe prodhues i të ardhurave./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat