Incidenti në Gjirin e Omanit: SHBA përgatit trupa shtesë - Bota Sot
Incidenti në Gjirin e Omanit: SHBA përgatit trupa shtesë

Amerika

Incidenti në Gjirin e Omanit: SHBA përgatit trupa shtesë

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 11:36
Foto e publikuar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, ku sipas Marinës amerikane, shfaqen trupat e Gardës Revolucionare të Iranit, duke larguar një minë të pashpërthyer nga cisterna e naftës.

Ushtria amerikane do të dërgojë 1,000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, për shkak të rritjes së tensioneve me Iranin.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, tha se trupat shtesë janë përgjigje ndaj, siç u shpreh, “sjelljes armiqësore” të forcave iraniane.

Ushtria amerikane po ashtu shpërndau fotografi të reja, të cilat, sipas saj, e lidhin Iranin me sulmet e fundit mbi cisternat e naftës në Gjirin e Omanit.

Të hënën, Irani tha se nuk do të veprojë më në përputhje me disa pjesë të marrëveshjes së vitit 2015, e cila i ka frenuar ambiciet e tij bërthamore.

Ai tha se, brenda dhjetë ditësh, do të shkelë kufirin e përcaktuar me fuqitë ndërkombëtare, mbi rezervat e uraniumit të pasuruar.

Shanahan tha përmes një deklarate se “Shtetet e Bashkuara nuk duan konflikt me Iranin”, porse ndërmarrin veprime për t’i ofruar siguri dhe mirëqenie personelit ushtarak të SHBA-së, që punon në rajon, në mbrojtje të interesave kombëtare.

Ai tha se ushtria do të vazhdojë ta monitorojë situatën dhe ta rregullojë nivelin e trupave në përputhje me rrethanat.

Detaje se ku saktësisht do të vendosen forcat shtesë të SHBA-së nuk u dhanë.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se do të dërgojë 1,500 trupa shtesë në Lindjen e Mesme.

Pak përpara njoftimit të ri, Pentagoni publikoi disa imazhe, të marra nga një helikopter i marinës së SHBA-së, që thuhet se tregojnë forcat iraniane duke larguar një minë të pashpërthyer nga një cisternë japoneze e naftës.

Sipas Uashingtonit, fotografitë tregojnë një përpjekje të forcave iraniane për të hequr provat nga vendi i ngjarjes.

Të enjten e kaluar, përveç cisternës japoneze u sulmua edhe një cisternë e Norvegjisë, por askush nga ekuipazhi nuk u plagos në incident.

Irani e mohoi çdo përfshirje, ndërsa akuzat amerikane i cilësoi si "të pabazuara".

Shtetet e Bashkuara po ashtu i akuzuan forcat e Gardës Revolucionare të Iranit për përpjekje për të goditur një avion amerikan, që po i monitoronte cisternat në kohën kur ndodhi sulmi.

Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë të tensionuara qëkur presidenti i SHBA-së, Trump, në vitin 2018, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja ndërkombëtare që e kufizoi programin bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër tij.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...