SHBA, vazhdon debati rreth kushteve në qendrat e emigrantëve

Amerika

SHBA, vazhdon debati rreth kushteve në qendrat e emigrantëve

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 16:19
SHBA

Një ditë pas publikimit të fotografive me pamje shqetësuese në dy qendra ku mbahen të ndaluar emigrantë, në Teksas, presidenti Donald Trump tha se shumë prej tyre janë më të sigurt dhe jetojnë shumë më mirë tani, sesa në vendet nga kanë ardhur.

“Nëse emigrantët e paligjshëm janë të pakënaqur me kushtet në qendrat e ndërtuara me shpejtësi, u thoni të mos vijnë dhe problemi zgjidhet’, shkruante presidenti Trump në një mesazh në twitter.

Për këto probleme ai fajësoi ligjet imigracionit.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara festojnë sot përvjetorin e pavarësisë, senatori Chuck Schumer, përfaqësuesi i lartë i demokratëve në Senat, tha se presidenti Trump duhet të lexojë poemën e shkruar në Statujën e Lirisë në Nju Jork, ku shkruhet ndër të tjera: “Më jepni të lodhurit, të varfërit tuaj, njerëzit tuaj të vuajtur që kanë mall të thithin ajrin e lirisë".

"Ata janë qenie njerëzore, vijnë në Amerikë në kërkim të një jete më të mirë', shkruante më tej zoti Schumer në përgjigje të komenteve të presidentit. “Është koha që ai të kujtohet se çfarë është Amerika”, shkruante ai.

Presidenti Trump lëvdëroi agjencinë e patrullimit kufitar, duke thënë se po bën një punë të madhe, por nuk përmendi skandalin në të cilin agjentë aktualë e të mëparshëm akuzohen për sjellje raciste e seksiste në median sociale ndaj emigrantëve dhe ligjvënësve hispanikë.

Në një raport të martën të Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Sigurisë Kombëtare përshkruheshin kushtet e tmerrshme dhe mbipopullimi i qendrave ku mbahen emigrantë në Teksas. Një nga drejtuesit e lartë të një prej objekteve tha se ka frikë për sigurinë e stafit të tij, duke e quajtur situatën një "bombë me sahat"./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat