Presidenti Trump njofton urdhër ekzekutiv për pyetjen mbi shtetësinë

Amerika

Presidenti Trump njofton urdhër ekzekutiv për pyetjen mbi shtetësinë

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 21:39
SHBA

Presidenti Trump tha të premten se po “konsideron shumë seriozisht” mundësinë e një urdhri ekzekutiv në përpjekje për të detyruar përfshirjen e pyetjes mbi shtetësinë në censusin e vitit 2020. Komentet ai i bëri përpara skadimit të afatit që gjykatat i patën vendosur administratës Trump për të sqaruar nëse do të përfshije ose jo pyetjen mbi shtetësinë në formularin e regjistrimit të popullsisë për vitin 2020.

Zoti Trump tha se kjo është një nga katër ose pesë alternativat që ai po shqyrton. Në fakt qeveria e ka filluar procesin e printimit të pyetësorit. Presidenti tha gjithashtu se zyrtarët mund të jenë në gjendje të bëjnë një shtesë në pyetësor, në një moment të mëvonshëm.

Avokatët e qeverisë po punojnë të japin një arsyetim të besueshëm mbi hapat e mëtejshëm rreth pyetjes që ka shkaktuar shumë debat. Gjykatat federale dhe disa shtete sfiduan vendimin e administratës Trump për të përfshirë çështjen e shtetësisë në procesin për regjistrimin e popullsisë, që zhvillohet çdo 10 vjet.

Pak ditë më parë Gjykata e Lartë, e cila votoi kundër përfshirjes së kësaj pyetjeje në censusin e 2020-s, tha se qeveria nuk ka bërë një shpjegim të qartë rreth arsyeve se pse kërkon ta shtrojë këtë pyetje në proces.

Çështja u duk se u mbyll të martën kur Departamenti i Drejtësisë dhe ai i Tregëtisë deklaruan se do të nisnin printimin e formularëve pa pyetjen për shtetësinë në mënyrë që të përmbusheshin afatet për kryerjen e regjistritmit të popullissë në kohë.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë argumentuan se kjo pyetje ishte e nevojshme për të ndihmuar zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtën e pakicave për të votuar.

Censusi është i rëndësishëm pasi përcakton numrin e vendeve për në Kongres për çdo shtet si dhe se si do të shpërndahen me qindra miliarda dollarë financime të qeverisë federale. Sipas kritikëve, pyetja për nënshtetësinë do të kishte frikësuar pakicat dhe emigrantët për të plotësuar formularin dhe do t'u jepte republikanëve epërsi.

Një urdhër ekzekutiv në vetvete nuk mund të përmbysë vendimin e gjykatës, por mund t’u jepte juristëve të administratës një mundësi të re në përpjekjet për të bindur gjykatat federale se pyetja duhet përfshirë. Ajo që mund të thuhet është se ndërsa afrohet afati, kjo çështje është pa përgjigje përfundimtare./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat