Votë në Dhomën e Përfaqësuesve kundër "komenteve raciste të Presidentit"

Amerika

Votë në Dhomën e Përfaqësuesve kundër "komenteve raciste të Presidentit"

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 09:04
SHBA

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët do të votojë të martën mbi një rezolutë që “dënon komentet raciste të Presidentit Trump”, të cilat kishin në shenjestër katër ligjvënëse, të gjitha gra me ngjyrë.

Udhëheqësi i shumicës demokrate, Steny Hoyer e njoftoi votën dhe tha se shpreson që republikanët do të vënë “vendin mbi partinë” dhe do të votojnë përkrah demokratëve për të mbështetur rezolutën.

Në prag të rezolutës, Presidenti Trump i ritheksoi sulmet kundër ligjvënëseve Ilhan Omar, Alexandria Ocasio-Cortez, Ayana Pressley dhe Rashida Tlaib. “Ligjvënëset demokrate kanë nxjerrë nga goja ca nga komentet më të ulëta, më të pështira, më të mbushura me urrejtje që mund të ketë thënë ndonjëherë një politikan në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, megjithatë u hapet rruga dhe Partia Demokrate i përqafon,” shkruante presidenti në Twitter. “Komente të tmerrshme kundër Izraelit, kundër Amerikës, pro-terroristëve dhe fjalë të ndyra në publik, ndër shumë gjëra tronditëse. Por demokratët e tmerruar ia mbathin nga frika,” shkruante presidenti.

Zoti Trump shtron pyetjen: “Përse nuk voton Dhoma e Përfaqësuesve për t’iu kundërvënë këtyre komenteve të ndyra e gjithë urrejtje? Pasi janë thënë nga e majta radikale dhe demokratët kanë frikë të përballen me to. Sa keq!”

Teksti i rezolutës “dënon me forcë komentet raciste të Presidentit Trump, të cilat kanë legjitimuar dhe shtuar frikën dhe urrejtjen ndaj amerikanëve të rinj dhe personave me ngjyrë, duke thënë se bashkë-kombasit tanë amerikanë që kanë ardhur si imigrantë dhe ata që mund t’i duken presidentit si imigrantë, duhet “të kthehen” në vende të tjera, apo termat që u referohen imigrantëve dhe azil-kërkuesve si “pushtues” si dhe komentet që anëtarët e Kongresit, të cilët janë imigrantë (si dhe ata në radhët e kolegëve tanë, të cilët gabimisht supozohet se janë imigrantë), nuk e kanë vendin në Kongres apo në Shtetet e Bashkuara”.

Sulmet e Presidentit Trump kishin në shenjestër ligjvënëset Ilhan Omar, Alexandria Ocasio-Cortez, Ayana Pressley dhe Rashida Tlaib. Të katra ligjvënëset dolën para kamerave të hënën për t’iu kundërvënë komenteve të presidentit ndaj tyre.

“Ai ka ndërmarrë një sulm të hapur racist ndaj katër anëtareve të zgjedhura në mënyrë legjitime si deputete në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilat janë të gjitha gra me ngjyrë,” tha zonja Omar, një demokrate e lindur në Somali, tashmë shtetase amerikane, e cila përfaqëson një zonë elektorale nga Minesota. “Kjo është axhenda e nacionalistëve të bardhë,” tha zonja Omar.

Dy prej ligjvënëseve, zonja Omar dhe zonja Tlaib, të cilat janë gratë e para myslimane të zgjedhura në Kongres, bënë hapur thirrje për hapjen e procesit për shkarkimin e presidentit.

Më parë dje, Presidenti Trump i ritheksoi komentet që janë cilësuar si sulme raciste, duke mos përfillur kritikat e shumta se këto komente bien ndesh me vlerat amerikane:

“Këto kritika nuk kanë të bëjnë me mua. Shumë njerëz mendojnë si unë,” tha Presidenti Trump dje në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump tha në adresë të ligjvënëseve: “Nëse nuk u pëlqen këtu, le të largohen, “ duke shtuar më tej “Ato e urrejnë vendin tonë”. Kur u pyet nëse i konsideron këto komente si raciste, presidenti tha “Aspak”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat