Racizmi, urrejtja dhe pasojat politike

Amerika

Racizmi, urrejtja dhe pasojat politike

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 12:19
Donald Trump

Rrëzimi i tabuve nga presidenti Trump, partia AfD dhe Co. ka dhe synime shumë të qarta politike. Presidenti Trump ka shkaktuar debate të shumta me një deklaratë të re. Por nuk është i vetmi.

Ai sërish ka bërë një deklaratë që ka shkaktuar debate të shumta. Presidenti i SHBA, Donald Trump, të dielën (14.07) ka shkruar në Twitter, se është interesant të shihen demokratet "progresive", me origjinë nga vendet me qeveri katastrofale, të korruptuara dhe të paafta, e që tani shpjegojnë se si duhet të funksionojë qeveria amerikane". Ai kishte parasysh me këtë deklaratë deputetet me ngjyrë, nga të cilat më e njohura është Alexandria Ocasio-Cortez. Të hënën (17.07) Trumpi përsëriti: "Ato urrejnë vendin tonë. Nëse nuk ju pëlqen, mund të shkojnë". Ky nuk është ofendimi i tij i parë racist dhe ai nuk është politikani i vetëm që përdor gjuhë raciste.

Trumpi i ka quajtur më parë vendet e Afrikës dhe Amerikës së Mesme si "shtetet të ndyra". Kryetarja e grupit parlamentar të AfD,  Alice Weidel i ka quajtur të ardhurit në Gjermani si "goca me shami në kokë, burra të paguar me thika dhe persona të tjerë qylahxhi", ndërsa ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini i ka quajtur refugjatët e shpëtuar nga deti si "mish njeriu".

Pozicionet e rrezikshme

Deklaratat ofenduese dhe përçmuese nuk mbeten pa pasoja. Në veçanti kur personat kanë ndonjë status politik. "Nëse politikanët japin deklarata raciste, pozicionet e tyre fitojnë në legjitimitet", thotë eksperti për komunikim Carsten Reinemann. Ai paralajmëron nga rreziqet e deklaratave të politikanëve, sepse ato shpesh kanë edhe pasoja në jetën e përditshme, duke filluar prej ofendimeve e deri te diksriminimi.

Një nga pasojat mund të jetë edhe dhuna ndaj personave të përmendur, shpjegon eksperti Andreas Zick, nga Universiteti në Bielefeld. "Paragjykimet nënvleftësohen. Ato mund të shkaktojnë urrejtje dhe reagime emocionale ndaj grupeve të caktuara. Ndërsa urrejtja mund të jetë motiv për sulme, sepse sulmuesit e ndjejnë veten të legjitimuar".

Këto deklarata i shfrytëzojnë edhe populistët e djathtë për veprime ekstreme, sepse personat fitojnë përshtypjen se "tani kanë fituar të drejtën që ta thonë hapur mendimin e tyre", e kjo mund të ketë pasojë edhe dhunën dhe shkeljen e normave. Zick thotë se me këto deklarata "janë infektuar" edhe njerëz nga shoqëria e qendrës, të cilët janë zhvendosur në pozcione djathtiste".

Shpjegimet

Po si funksionon kjo? Për këtë ekzistojnë studime të ndryshme, që shpjegojnë mundësitë dhe kornizat e veprimit politik. Të gjitha që janë larg kësaj kornize quhen radikale, problematike, provokative. Ndryshimi i shoqërisë ka për pasojë edhe ndryshimin e kornizës së perceptimit të gjërave. Para 100 vitesh nuk mund të imagjinohej kërkesa për trajtimin e barabartë të grave dhe burrave. Por sot kjo është e vetkuptueshme dhe legjitime. Kjo mund të ndodhë edhe me fenomenet që zhvillohen sot, sepse kërkesat për ndryshimin e normave në shoqëri nuk do të thonë se ato do të realizohen menjëherë. Por shoqëria mund të mësohet me veprimet ekstreme dhe në këtë mënyrë thyhen tabutë.

Në zhvendosjen e kornizave ndikojnë edhe gënjeshtrat, dezinformatat dhe shtrembërimet e së vërtetës. Këtë sistem e ka përdorur shpesh gjatë presidencës së tij edhe Trumpi dhe adminsitrata e tij, shkruan portali vox.com. Por ka dhe kritika në konceptin e shpjegimit. Në vend të reagimit aktiv njerëzit shpesh mjaftohen me ndryshimet sociale. Ndërkohë që edhe ata e shohin se populistët po i thyejnë tabutë dhe po krijojnë hapsirë politike për veprim. Para zgjedhjeve federale në vitin 2017, partia AfD ka paraqitur një strategji, ku qëllimisht ka prezantuar synime jokorrekte politike dhe provokime.

Një nga sjelljet klasike të populistëve është mohimi i deklaratave raciste dhe paraqitja e vetes si viktimë. Ata sulmojnë madje kundërshtarët për racizëm, shpjegon Zick. Një reagim tjetër është relativizimi i deklaratave, sipas motos: "Deklarata nuk është cituar si duhet, apo personi nuk ka menduar kështu". Por deklaratat e arrijnë efektin e tyre dhe hapin debate të gjera. Ndaj Judith Rahmer paralajmëron se njerëzit duhet të njihen mirë me këtë strategji të populistëve të djathtë. Me rëndësi është që të forcohet shoqëria civile në veprimet kundër ekstremizmit të djathtë, racizmit dhe antisemitizmit.

Veprimi kundër racizmit

Deklaratat raciste nuk duhet të injorohen. "Kjo nuk mund të tolerohet, sepse tolerimi shkakton probleme edhe më të mëdha, për faktin se deklaratat e tilla shndërrohen në përditshmëri dhe normalitet." Eksperti i komunikimit Reinemann thotë se përgjegjësinë më të madhe në këtë drejtim e mbajnë politikanët konservatorë. "Në veçanti politikanët konservatorë duhet të shquhen me luftën kundër racizmit dhe përkufizimeve politike."

Ndërsa Rahner pohon se nuk duhen harruar në asnjë mënyrë vlerat dhe standardet e arritura. Ndaj nuk duhen harruar as standardet në luftën kundër racizmit, por duhet të forcohen ato. Kjo nënkupton edhe një punë të përditshme kundër racizmit./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat