Zgjerimi i zonës së vdekur në Gjirin e Meksikës

Amerika

Zgjerimi i zonës së vdekur në Gjirin e Meksikës

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 08:45
Gjiri i Meksikës

Shkencëtarët amerikanë po parashikojnë se një zonë në Gjirin e Meksikës e njohur si “zona e vdekur” do të zmadhohet në përmasa rekorde gjatë muajve të ardhshëm. Zona, ku nuk ka oksigjen ose sasi të pakta oksigjeni, pritet të rritet në rreth 20 mijë kilometra katrorë. Zona e vdekur besohet se është krijuar nga ndotja e lëndëve ushqyese si rezultat i aktiviteteve njerëzore dhe mund të shkaktojë vdekjen e peshkut dhe jetës detare. Kjo po shqetëson veçanërisht ata, jeta e të cilëve varet nga peshkimi në Gjirin e Meksikës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee njofton nga qyteti bregdetar Port Arthur.

Sigurimi i jetesës nuk është thjeshtë një punë për Tuan Tran por një aventurë.

“Gjithmonë kam qënë i apasionuar pas gjuetisë së karkalecave të detit. Gjithmonë e kam dashur gjirin dhe një prej arsyeve është se ndihem se i përkas këtij vendi”, thotë ai.

Para se të vendoseshin në Port Arthur të Teksasit, familja e zotit Tran ishin peshkatarë në Vietnam deri sa ra Saigoni. Tran ka gjuajtur për karkaleca deti që kur ishte fëmijë. Ai thotë se parashikimi i zgjerimit të zonës së vdekur në Gjirin e Meksikës është shumë shqetësues.

“Nuk është mirë”, thotë ai.

Zona e vdekur është një pjesë e oqeanit ku ka pak ose aspak oksigjen. Ky fenomen kërcënon jetën detare, përfshi kocen e detit, që nuk mund të zhvendosen nga zona dhe karkalecat, ndërsa zhvendosen në zona me oksigjen. Ndërsa parashikimi është i zymtë, Tran ka besim dhe shpresa.

“E vetma gjë që mund të bëjmë është lutja ndaj Zotit që i zgjidh të gjitha. Po të shqetësohesha si një miku im, nuk do të më zinte gjumi”, thotë ai.

Trey Pearson drejton një biznes përpunimi karkalecash në Port Arthur.

“Jam shumë i shqetësuar se sa i madh do të jetë ndikimi. E kuptojmë se zgjerimi i zonës do të jetë shumë i madh këtë vit”, thotë zoti Pearson.

Administrata Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën parashikon se zona e vdekur në Gjirin e Meksikës do të zgjerohet afro 20’300 kilometra katrorë, duke iu afruar rekordit të vendosur në vitin 2017.

Shkencëtarët thonë se ndotja nga fermat është problemi kryesor. Vërshimet e fuqishme kanë përcjellë lëndë toksike nga fermat tek lumenjtë që derdhen në Gjirin e Meksikës, si Lumi Misisipi. Steve DiMarco është studiues i oqeaneve me Universitetin A&M në Teksas.

“Këto ujëra nxisin rritjen e algave të cilat rriten shumë shpejt nën rrezet e diellit dhe prodhojnë një biomasë të madhe. Kur algat ngordhin ato bien në fund të dyshemesë së oqeanit”, thotë zoti DiMarco.

Bakteria që ushqehet me algat e ngordhura thith oksigjenin dhe lëshon dioksid karboni. Ndërsa pakësohet oksigjeni në ujin e kripur, shtresa e ujit të freskët në sipërfaqe nuk lejon oksigjenin nga atmosfera që të depërtojë në ujin e kripur. Kjo shkakton zonën e vdekur që ndikon jo vetëm tek niveli i oksigjenit në ujin e kripur por edhe tek jeta e gjallesave detare në atë zonë, përfshi karkalecat e detit.

“Gjallesat ndoshta do të përpiqen të zhvendosen në zona të tjera që mund të mos jenë aq të favorshme”, -thotë studiuesi i oqeaneve Steve DiMarco.

“Kjo vështirëson transportin e produkteve dhe ndryshon zonat e peshkimit”, thotë Trey Pearson.

E vetmja gjë që Person dhe Tran mund të bëjnë është të presin se sa keq do të bëhet zona e vdekur. Por, Tran ka besim tek Zoti.

“Zoti gjithmonë na ndihmon në kohë të vështira”, thotë ai. Ai thotë se do të përshtatet ndaj çdo gjëje që vjen në muajt e ardhshëm./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat