I ushqente macet endacake, gruaja amerikane dënohet me burgim

Amerika

I ushqente macet endacake, gruaja amerikane dënohet me burgim

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 14:18
Nancy Segula

Një grua 79 vjeçe nga Ohio i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dënuar me 10 ditë burgim për shkak se iu dha ushqim maceve endacake, për të cilat tha se i bënin shoqëri dhe ndikonin që ajo të ndihej më rehat.

Nancy Segula filloi t’i ushqente macet rreth dy vjet më parë, kur ato mbetën vetëm pas largimit të fqinjës së saj.

“Kanë qenë rreth 8 mace të rritura dhe tashmë priten edhe mace të vogla. Më mungojnë kotelet e mia, ato kanë ngordhur. Burri më ka vdekur. Jam e vetmuar. Macet dhe kotelet e rrugës më ndihmojnë të ndihem më mirë”, tha ajo.

Një gjykatë rajonale e dënoi gruan me dhjetë ditë burgim pasi ajo kishte marrë gjoba prej dy mijë dollarësh.

Sipas një rregulloreje të qytetit, ushqyerja e maceve dhe qenve endacakë është e ndaluar.

Gjykatësja e lëndës tha se dëshiron të gjitha versionet e këtij rasti nga të gjithë personat e pranishëm në gjykatë, përfshirë gruan e akuzuar dhe avokatin e saj, prokurorin dhe një përfaqësues të kontrollit të kafshëve, për të vendosur nëse dënimi me burgim është i drejtë.

Zonja e moshuar tha se nuk e ka ditur që është e ndaluar me rregullore t’i ushqesh macet dhe qentë. “Macet vijnë gjithmonë te shtëpia ime. Ndihem keq dhe u jap diçka për të ngrënë”, tha ajo.

Djali i saj, Dave Pawlowski, tha se nuk mund të besonte kur dëgjoi nga nëna se gjykata e ka dënuar për këtë vepër, shkruan “Independent".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat