Trump pezullon ndihmën për projekte të jashtme

Amerika

Trump pezullon ndihmën për projekte të jashtme

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 09:10
Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka pezulluar ndihmën e jashtme derisa Zyra e Shtëpisë së Bardhë për Menaxhim dhe Buxhet të rishikojë të hollat që nuk janë shpenzuar, ka raportuar CNN.

Kritikët kanë shprehur shqetësim se një gjë e tillë mund të ndikojë me ndërprerje të programeve globale për shëndetësi, ruajtje të paqes, kontrollin e narkotikëve dhe ndihmën për zhvillim, pavarësisht pse buxheti është miratuar nga Kongresi.

Rishikimi është bazuar në një letër që Zyra e Shtëpisë së Bardhë i ka dërguar Departamentit amerikan të Shtetit, dhe Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) më 3 gusht.

Fondi që tashmë është vënë në pikëpyetje është në vlerë të 2 - 4 miliardë dollarëve, ka thënë një zyrtar i USAID-it për CNN, meqë viti fiskal në SHBA përfundon më 30 shtator.

Andaj Zyra e Shtëpisë së Bardhë për Buxhet mund t’i propozojë Kongresit që të anulojë fondet që tashmë nuk janë shpenzuar.

Administrata e presidentit Trump ka bërë vazhdimisht përpjekje për të reduktuar shumën e të hollave që Uashingtoni shpenzon në ndihmë të jashtme.

Në muajin prill, kjo administratë ka tentuar pa sukes që të zvogëlojë buxhetin për projekte të jashtme dhe diplomaci për 23 për qind.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat