Ligjvënësja amerikane hedh poshtë pohimet e Izraelit për itinerarin

Amerika

Ligjvënësja amerikane hedh poshtë pohimet e Izraelit për itinerarin

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 15:28
Ligjvënësja amerikane Ilhan Oma

Ligjvënësja amerikane Ilhan Omar ka hedhur poshtë pohimet e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se ajo dhe anëtarja e Kongresit Rashida Tlaib nuk kishin qëllim të takoheshin me zyrtarët izraelitë para se kryeministri t’i ndalonte ato që të vizitonin Jeruzalemin dhe Bregun Perëndimor javën që vjen.

Ligjvënësja Ilhan Omar postoi të premten në rrjetin Twitter itinerarin e saj në Izrael, mes të tjerash edhe takim me anëtarët hebrenj dhe arabë të parlamentit si dhe zyrtarë të sigurisë.

Ligjvënësja amerikane Ilhan Omar tha se delegacioni i saj do të zhvillonte dhe një takim me komunitetin beduin në Jeruzalemin Lindor, ndërkohë që Kombet e Bashkuara ishin caktuar të raportonin mbi efektet e shkurtimeve të ndihmave humanitare për palestinezët.

Herët të premten, zonja Tlaib kishte vendosur të mos udhëtonte në Bregun Perëndimor, vetëm disa orë pasi Ministria e Brendshme e Izraelit tha se do ta lejonte “për arsye humanitare” të vizitonte gjyshen e saj palestineze. Por zonja Tlaib u shpreh se kjo binte ndesh me qëndrimin e saj kundër racizmit, shtypjes dhe padrejtësive.

Ministri i Brendshëm i Izraelit tha se kishte pranuar kërkesën e zonjës Tlaib si një gjest të vullnetit të mirë, por se ishte vetëm një kërkesë provokuese me synim për të goditur shtetin izraelit. Dy ligjvënëset demokrate kanë qenë kritike të zëshme të Izraelit dhe trajtimit që u bëhet palestinezëve. Ato kishin planifikuar të vizitonin Izraelin dhe disa qytete në Bregun Perëndimor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat