Reagime pas shkarkimit të një polici në Nju Jork

Amerika

Reagime pas shkarkimit të një polici në Nju Jork

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 07:44
Daniel Pantaleo

Vazhdojnë reagimet pas shkarkimit të një oficeri të bardhë të policisë së Nju Jorkut i cili mbyti për vdekje gjatë arrestimit në vitin 2014 një afrikano-amerikan, në një incident që nxiti protesta mbarëkombëtare. Vdekja e Eric Garner u cilësua si “vrasje” nga ekzaminuesi mjekësor i qytetit, por një gjykatë e lartë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk pranuan të ngrejnë akuza kundër policit Daniel Pantaleo apo ndonjë oficeri tjetër të përfshirë në incident.

5 vjet pasi mbyti për vdekje Eric Garnerin në një rrugë të Nju Jorkut, oficeri Daniel Pantaleo u shkarkua.

"Është e qartë se Daniel Pantaleo nuk mund të shërbejë më në mënyrë efektive si oficer policie në Nju Jork", thotë Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut James O'Neill.

Ai tha se polici Pantaleo u pushua, bazuar në rekomandimin e një gjykatësi disiplinor të departamentit.

Gjykatësi deklaroi se veprimet e policit gjatë arrestimit të Garnerit, nën dyshimin se viktima po shiste cigare kontrabandë, ishin të panevojshme.

Teknika e shtrëngimit të qafës me dy duar i shkaktoi Eric Garnerit një goditje fatale të astmës dhe solli vdekjen e tij.

Nëna e tij parashikon një tjetër betejë ligjore edhe pse polici përgjegjës për vdekjen e djalit të saj u shkarkua.

"Nëse do të ndërroheshin vendet, nëse im bir ose unë do të kishim bërë të njëjtën gjë do të ishim dënuar me burgim të përjetshëm ose me vdekje, ku dihet. Nuk dua t’ja di çfarë bëjnë, ku apelojnë, edhe pse komisioneri O'Neill tha se vendimi i tij nuk mund të kthehet. E di që do të jetë një betejë por unë jam gati të luftoj. Dua që të gjithë ju të luftoni me mua”.

Që nga vdekja e Garnerit, policia e Nju Jorkut ka ritrajnuar 35,000 oficerë për metoda të reja arrestimesh për të shmangur metodën e shtrëngimit në fyt. Familja e tij kërkon që të miratohet një ligj i cili ta bënte të paligjshme përdorimin e kësaj teknike./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat