Maduro konfirmon bisedimet sekrete me Shtetet e Bashkuara

Amerika

Maduro konfirmon bisedimet sekrete me Shtetet e Bashkuara

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 09:14
Nicolas Maduro

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka konfirmuar se disa zyrtarë të këtij shteti kanë zhvilluar bisedime me pjesëtarë të Shtëpisë së Bardhë pas raportimeve se zëvendësi i tij ka negociuar me Amerikën për largimin e tij nga pushteti.

“Konfirmoj se për disa muaj me radhë ka pasur kontakte mes zyrtarëve të lartë të qeverisë së Donald Trump-it dhe qeverisë sonë, gjë për të cilën unë kam dhënë leje. Janë bërë kontakte të ndryshme përmes kanaleve të ndryshme”, tha ai gjatë një fjalimi televiziv.

Komentet e tij erdhën pas raportimeve në mediet amerikane se njëri nga njerëzit më të fuqishëm të Venezuelës, Diosdado Cabello, është angazhuar në komunikim të fshehtë me zyrtarët e presidentit amerikan.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” shkroi se Cabello është takuar me një person të afërt me Trump-in në Karakas muajin e kaluar dhe se ata kanë planifikuar të zhvillojnë edhe një takim tjetër.

Maduro është duke luftuar për të mbetur në pushtet që nga janari i këtij viti, kur lideri i opozitës, Juan Guaido, e shpalli veten president legjitim të Venezuelës dhe mori përkrahje nga më shumë se 50 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat