Trump thotë se është ende herët për negociata me Iranin

Amerika

Trump thotë se është ende herët për negociata me Iranin

Më: 26 gusht 2019 Në ora: 13:39
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është ende shumë herët për të zhvilluar bisedlime me zyrtarët iranianë, por konfirmoi se është pajtuar me vendimin e Francës për ta ftuar ministrin e jashtëm iranian për bisedime në samitin e G7-ës.

Në një përpjekje tjetër të Francës për t’i zbutur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, presidenti iranian, Hassan Rouhani, deklaroi se është i hapur në parim që të takohet me presidentin amerikan.

“Nëse e di se takimi me një person do ta zgjidhë problemin e vendit tim, unë nuk do të ngurroj, sepse interesat kombëtarë janë parimi kryesor”, tha Rouhani.

Ai nuk e përmendi Trumpin me emër, por i bëri këto komente në kontekstin e diskutimit për nismën diplomatike të Francës. Takimi mes dy presidentëve mund të bëhet i mundur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet në Nju Jork për më pak se një muaj.

Franca i ka udhëhequr përpjekjet për uljen e tensioneve në Gjirin Persik që nga maji i vitit 2018, kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore me Iranit dhe vendosën sanksione të rënda kundër këtij shteti, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat