SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Iranit

Amerika

SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Iranit

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 08:09
Irani ka dërguar disa satelitë në orbitë gjatë dekadës së kaluar (fotografi ilustruese)

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një agjencie civile hapësinore të Iranit dhe dy institucioneve të saj kërkimore, duke thënë se ato janë duke u përdorur për të përparuar programin bërthamor të Teheranit.

Sanksionet e reja shënjestrojnë Agjencinë Hapësinore të Iranit, Qendrën e Kërkimit Hapësinor dhe Institutin e Kërkimit të Astronautikës, njoftoi Departamenti i Thesarit në SHBA, duke akuzuar këto subjekte për zhvillimin e raketave balistike, nën mbulesën e një programi civil për të lëshuar satelitët në orbitë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha në një deklaratë se Uashingtoni "nuk do të lejojë Iranin të përdorë programin e tij hapësinor, si mbulesë për të përparuar programet e tij për raketa balistike".

Pompeo tha se përpjekja e Iranit, javën e kaluar, për të provuar lëshimit e një mjeti në hapësirë nënvizoi "urgjencën e kërcënimit".

Irani, më 2 shtator, konfirmoi një shpërthim në Qendrën Hapësinore “Imam Khomeini” në veri të vendit, duke thënë se kjo ishte për shkak të një mosfunksionimi teknik.

Shpërthimi besohet të jetë dështimi i tretë i raketave iraniane këtë vit.

Uashingtoni akuzon Teheranin që përdor teknologjinë për të hedhur satelitët në orbitë, si pjesë e përpjekjes së tij, për të zhvilluar raketa balistike të afta për të bartur armë bërthamore.

Irani mohon akuzën.

Vendi ka dërguar disa satelitë në orbitë gjatë dekadës së kaluar, dhe në 2013 pretendoi se kishte nisur një majmun në hapësirë.

Sanksionet janë pjesë e një fushate amerikane të "presionit " ndaj Iranit për të detyruar Teheranin të ulet në tryezën e bisedimeve mbi programet e tij bërthamore dhe raketat.

Uashingtoni vitin e kaluar u tërhoq nga një marrëveshje thelbësore bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore dhe vendosi sanksione të ashpra mbi ekonominë iraniane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat